Isa Mustafa nuk tregon se a do të kandidojë për kryetar të LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Isa Mustafa, pas mbledhjes së kryetarëve të kësaj partie, ka mbajtur konferencë për media, ku ka folur për zgjedhjet e brendshme të LDK-së dhe kandidaturën e tij për kryetar.

Mustafa nuk ka treguar se a do të kandidojë përsëri për kryetar, duke thënë se kur të vijë koha do të mësohet për kandidaturën e tij.

“Kur ta kemi kuvendin, do të diskutojmë edhe për kryetarin dhe çdo njeri qe është i gatshëm të sfidohet ne jemi të hapur. Fillimisht duhet ta përmbyllim procesin në degë dhe nëndegë. Kryetarin e zgjedhë Kuvendi i LDK-së. Ne jemi të interesuar të kemi një proces nen autoritetin e LDK-së. Zgjedhjet duam ti mbajmë larg presionit dhe ndikimit të tjerëve, por të jetë proces i brendshëm i LDK-së”, ka deklaruar Mustafa.

Ai ka thënë se LDK-ja janë të interesuar për përfaqësim më të madh të grave nëpër degë dhe të ketë barazi gjinore.