Mbledhja e Qeverisë | Foto: Zyra e Kryeministrit

Isa Mustafa: Liberalizimi Varet nga Ne

Më 5 shtator Komiteti për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme të Parlamentit Evropian (LIBE) vendosi kundër miratimit të hapjes së negociatave me Kosovën për liberalizim vizash.

Në të njëjtën mbledhje ky komitet përkrahu raportin e Tanja Fajonit, raportueses së Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Duke përshëndetur vendimin e komitetit të PE-së, Isa Mustafa para kabinetit qeveritar tha se gjithçka rreth këtij procesi varet nga ne.

“E mirëpres vendimin e komisionit LIBE. Ne s’mund ta fajësojmë më askënd për liberalizimin e vizave, gjithçka varet nga ne,” tha Mustafa.

Mustafa paralajmëroi takime që të ecet përpara drejt lëvizjes pa viza të kosovarëve.

“Do të punojmë edhe me opozitën, do të takohemi me të gjithë ata që kanë vullnet të takohen,” tha Mustafa.

Në lidhje me vendimin e Komitetit LIBE Tanja Fajon tha të martën për KALLXO.com se tash topi ndodhet në fushën e Kosovës.

http://kallxo.com/tanja-fajon-topi-tash-eshte-ne-fushen-e-kosoves/

Në mbledhjen e sotme ekzekutivi shqyrtoi edhe nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërmjet KfW Frankfurt am Main dhe Qeverisë së Kosovës, për Programin e Sektorit të Energjisë Faza 6 dhe 7 që ka të bëjë përmirësimin e rrjetit të transmisionit.

Dy fazat e kësaj marrëveshjeje i prezantoi ministri i Financave Avdullah Hoti.

Sipas Hotit për fazën 6 do të nënshkruhet kredi prej 13.5 milionë eurove, ndërsa për fazën 7 kredi prej 12 milionë eurove.

“Në total do të nënshkruhen dy kredi në vlerë prej 25.5 milionë,” tha Hoti.

Qeveria e Kosovës me Bankën Gjermane KfW Frankfurt am Main lidhi edhe një marrëveshje për efiçiencë energjie më 22 janar të këtij viti.

Kjo marrëveshje u ratifikua në Kuvendin e Kosovës më 14 korrik.

http://kallxo.com/ratifikohet-marreveshja-per-eficience-te-energjise/