Foto: Kallxo.com

Isa Mustafa: LDK nuk do të bëhet bisht i PDK-së

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e ka hedhur poshtë një ftesë të homologut të tij nga PDK, Kadri Veseli, për unifikim të spektrit politik të Kosovës rreth dialogut mes Kosovës e Serbisë.

Në pikëpamjen e Mustafës, kryetarit të PDK-së i mungon kompetenca për të bërë thirrje për gjëra të tilla.

“Ai (Veseli) nuk është strumbullar i këtyre çështjeve është vetëm spiker i Kuvendit dhe kryetar i një partie politike. Kadri Veseli nuk e ka kompetencën e unifikimit. Kjo i bie një institucioni tjetër që duhet ta bëjë këtë punë (Presidentit) por i cili nuk e ka bërë sepse e ka filluar keq procesin”, tha Mustafa sot në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së.

“LDK nuk i beson PDK-së as z. Veseli as tjerëve. Nuk mund t’u bëhemi bisht njerëzve as partive që kanë abuzuar bashkëpunimin me ne”, shtoi Mustafa

Ai tha se në këtë mbledhje të kryesisë së partisë është biseduar për një platformë për dialogun me Serbinë.

“Konsiderojmë që dialogu mes Kosovës e Serbisë duhet të zhvillohet për interesin e përbashkët, si dialog mes dy shteteve dhe qëllim përfundimtar ta ketë njohjen reciproke mes Kosovës e Serbisë”, tha Mustafa.

Por ai shtoi se “dialogu nuk duhet ta bjerë në pikëpyetje shtetësinë dhe rezultatet e deritanishme”.

Nga ana tjetër, Mustafa shfaqi dilema nëse Presidenti Thaçi apo qeveria aktyuale e Kosovës mund ta drejtojnë këtë dialog.

“Ne konsiderojmë që dialogun mund ta zhvillojë vetëm një qeveri që përfaqëson shumicën, dhe më pas të shkojë në kuvend dhe më pas kjo të aprovohet edhe në Komisionin Europian në mënyrë që Komisioni mos të ketë status neutral”, tha ai.

“LDK mendon që qeveria dhe presidenti nuk mund ta bartin këtë proces. Qeveria ngase nuk e ka shumicën dhe Presidenti ngase nuk e ka mandatin”, tha Mustafa.

“Si LDK do të jemi te gatshëm të hyjmë në këtë proces vetëm pas legjitimimit qytetar – zgjedhjeve. Vlerësojmë se ndryshimi i kufijve nuk vjen fare në shprehje dhe as ndonjë krijesë me kompetenca ekzekutive”, tha Isa Mustafa.