Isa Mustafa i kthehet partisë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e rregullt të kryesisë për herë të parë pas rikthimit të Isa Mustafës në Kosovë.

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa kishte qenë për shërim jashtë vendit për disa muaj.

Sipas njoftimit të LDK-së në fillim të mbledhjes me rastin e 24 Majit, Ditës së Presidentit, u përkujtua ish-Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe sipas tyre roli i tij vendimtar në pavarësimin e vendit duke qenë arkitekt i shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

Sipas këtij njoftimi , në mbledhje u diskutua edhe për krizën institucionale dhe mbarëvajtjen e tryezave për partitë politike që i kishte thirrur kjo parti.

“Anëtarët e Kryesisë së LDK-së përkrahën unanimisht qëndrimin se këto tryeza duhet të përfundojnë me një tryezë përfundimtare të thirrur nga LDK-ja, e cila duhet të rezultojë me dakordim të partive për datën e zgjedhjeve të reja nacionale, që duhet të mbahen në një periudhë sa më të afërt, si dhe për avancimin konsensual të proceseve tjera të rëndësishme për shtetin dhe qytetarët”, thuhet në njoftim

Gjatë mbledhjes u diskutua edhe për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë ku pati unanimitet se ky dialog duhet të hyjë në fazën e përfundimtare dhe që paraprakisht të qartësohen temat si dhe formati i këtij dialogu.

http://kallxo.com/isa-mustafa-flet-per-gjendjen-e-tij-shendetesore/