Isa Mustafa flet për koalicionin parazgjedhor me VV dhe postin e kryeministrit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, është treguar i hapur për mundësinë e një koalicioni parazgjedhor me partinë tjetër opozitare, Vetëvendosje, por u shpreh i vendosur që kandidaturën për postin e kryeministrit ta mbajë për partinë e vet.

Pas mbledhjes me kryesinë e LDK-së dhe kryetarët e degëve të partisë, Mustafa tha se LDK aktualisht është partia më e madhe në vend ndërsa iu referua edhe sondazheve të cilat e nxjerrin atë si partinë më të votuar.

“Relacionet me VV-në i kemi për të bërë opozitë. Ne po bashkëpunojmë në fushën e opozitarizmit, nuk kemi ndonjë diskutim sesi mund te shkojmë në zgjedhjet e ardhshme. Nëse mendojmë se fitojmë vet, shkojmë vet. Nuk kemi vendosë për koalicion dhe në çdo variant të koalicionit ne nuk heqim dorë që kandidati për kryeministër të jetë i LDK-së, pavarësisht me kë shkojmë në koalicion”, tha Mustafa.