Isa Mustafa don paqe në mes të Hashim Thaçit e Sali Berishës

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka bërë thirrje që liderët shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria të mos përçahen.

Ai i është referuar sulmeve që ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i kanë bërë njëri-tjetrit.

Këta të dy, kryesisht në rrjete, sociale kanë drejtuar akuza ndaj njëri tjetrit se në një mënyrë ose tjetër i kanë ndihmuar Serbisë, shtet i cili kreu gjenocid mbi popullatën në Kosovë.

Mustafa tha se është shumë e gabuar t’i thuhet Sali Berishës bashkëpunëtor i Serbisë.

“Duhet të mendohesh mirë e t’i thuash ish Presidentit të Shqipërisë dhe ish Kryeministrit, Sali Berisha se ishte bashkëpunëtor i Serbisë dhe i Millosheviçit. Askush nuk të beson dhe në këtë askush merr pjesë edhe vet Presidenti Thaçi. Nuk është me rëndësi të gjurmojmë se kur dhe çfarë kanë thënë njëri për tjetrin, dhe si e kanë ngritur shoqishoqin në piedestal, por edhe ne të tjerërt e njohim edhe Sali Berishën edhe Hashim Thaçin”, shkroi Mustafa.

Ai përmendi kontributin që Berisha ka dhënë për Kosovën, gjatë dhe pas luftës.

Megjithatë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha akuzat për bashkëpunim me Serbinë nuk mund t’i bëhen as Thaçit.

“Do të fitoja, ndoshta, ndonjë aplauzë nga një numër i njerëzve në Kosovë nëse Presidentin Thaçi e cilësoj si bashkëpunëtor të Vuçiqit dhe si njeri që po e shet Kosovën. Unë nuk e kam njohur si të tillë, prandaj nuk mund ti them, veç se e do pazari. Nuk jemi në Pazar të plaçkave, por në një moment shumë delikat që po kalon vendi ynë. Kështu që cilësimet nuk janë çështje personale, por ato u adresohen institucioneve që përfaqësojnë individët”, tha Mustafa.

Ai megjithatë i bëri thirrje Thaçit të heqë dorë nga ideja e tij për korrigjimin e kufijve me Serbinë pasi “do ta ketë vetën në qafë”.

“Kosova dhe Shqipëria duhet të respektohen në mënyrë të ndërsjell. Sa u përket punëve tona, ne i dimë ato më mirë sesa Shqipëria; dhe Shqipëria i di punët e veta më mirë sesa Kosova. Por ne kemi nevojë të ndihmojmë njëri tjetrin dhe të bashkëpunojmë mbi baza të barabarta dhe të respektit reciprok.
Jemi mjaftë të pjekur për të evituar cilësimet degraduese deri edhe me emra kafshësh”, përfundoi ai.