IPK nënshkruan kontratat me inspektorët e ‘pezulluar‘

Inspektorati Policor i Kosovës ka nënshkruar kontratë me 17 inspektorë hetues.

Ky vendim erdhi pas thuajse një viti që nga koha kur njëherë ishe pezulluar vendimi për nënshkrimin e kontratave e më pas ishte anuluar i gjithë konkursi për pozitat inspektor hetues në këtë institucion.

KALLXO.com ka mësuar se kontratat me inspektorët hetues janë nënshkruar dy ditë më parë.

Kontratat janë nënshkruar pa ndonjë paralajmërim apo vendim për nënshkrimin e atyre kontratave që nga koha e anulimit të konkursit në dhjetor të vitit të kaluar.

KALLXO.com ka kërkuar nga ana e Inspektoratit Policor të konfirmojë nënshkrimin e kontratave.

Në një përgjigje drejtuar KALLXO.com, IPK ka thënë se Kryeshefja Ekzekutive e IPK-së, Miradije Kelmendi, ka marrë vendim të shfuqizohet vendimi për anulimin e procedurave të rekrutimit për 17 pozitat e lira për inspektor hetues.

“Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të  Kosovës me datën 25.09.2018, ka nxjerrë vendim për shfuqizim të vendimit me të cilin ishte anuluar procedura rekrutimit për pozitat e lira për 17 inspektorë hetues dhe ka zbatuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të vërtetuar nga Gjykata e Apelit më aktgjykim të formës së prerë, aktgjykim i cili ka obliguar vazhdimin e procedurës së rekrutimit”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Tutje sipas përgjigjes, kandidatët të cilët kishin fituar të drejtën e punës në pozitat inspektor hetues konform Udhëzimit Administrativ dhe udhëzimeve të aktgjykimit, janë ftuar të nënshkruajnë kontratat.

Në nëntor të vitit të kaluar, KALLXO.com ka shkruar në lidhje me vendimin e ministrit të atëhershëm, Flamur Sefaj, për pezullimin e konkursit për 17 pozitat e lira në IPK si inspektor hetues.

Ky vendim është marrë pas ankesave të shumta që kanë bërë kandidatët të cilët kanë marrë pjesë në këtë konkurs.

Ministri Sefaj kishte kërkuar që të rishikohet nga fillimi procesi i konkursit.

https://kallxo.com/ministri-pezullon-nje-konkurs-te-inspektoratit-policor/

Vetëm një muaj më pas, IPK kishte njoftuar se pas një vendimi nga ish- kryeshefi i IPK-së, Hilmi Mehmeti, ishte anuluar konkursi për 17 pozitat e lira në IPK për inspektor hetues.

https://kallxo.com/anulohet-konkursi-per-hetues-ne-ipk/