IPK interviston disa persona për aksidentin në Graçanicë

Inspektorati Policor i Kosovës ka dal sot në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur aksidenti mes veturës së policisë dhe një furgoni me nxënës.

Në një përgjigje të KALLXO.com, IPK ka thënë deri më tani ka kryer disa intervista rreth këtij rasti.

“Hetuesit e IPK-së kanë kryer tashmë disa intervista dhe veprime të tjera hetimore”, thuhet në përgjigje.

IPK ka njoftuar se me  kërkesë të prokurorit kompetent rasti i këtij aksidenti vazhdon në procedurë të rregullt dhe se veprimet e mëtutjeshme hetimore do të ndërmerren në konsultim me prokurorin kompetent.

KALLXO.com raporti më herët për dyshimet se vetura e policisë është shkaktare e këtij aksidenti.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka ka thënë për se sipas prokurorit kujdestar dyshimet e para janë se vetura e policisë është shkaktare e aksidentit.

“Dyshimet e para janë se vetura e policisë për shkak se ka rrëshqitur ka dal në pjesën tjetër të rrugës, në shiritin ku qarkullonte furgoni me nxënës”, ka thënë Beka për KALLXO.com.

KALLXO.com ka raportuar mëngjesin e sotëm për aksidentin në të cilin mbetën të lënduar 21 persona, 18 prej tyre nxënës.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e policisë në rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

“Rreth orës 6:30 në Graçanicë ka ndodhur një aksident trafiku mes një automjeti zyrtar të policisë dhe një furgoni që transportonte nxënës. Deri më tani 21 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore”, ka thënë Ahmeti.

https://kallxo.com/21-nxenes-te-lenduar-nga-aksidenti-ne-gracanice/