foto-ilustrim

Inxhinieri i Telekomit: Qe 10 vjet antena e Telekomit është vendosur në oborrin tim

Komisioni hetimor në lidhje me gjendjen e PTK-së dhe Valës ka intervistuar sot Avni Çmekën, ish-menaxherin për planifikim dhe zhvillim në Telekomin e Kosovës, i cili tash mban pozitën e këshilltarit të departamentit teknik.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu ka thënë se ka raste që disa antena janë vendosur në oborr të punëtoreve të Telekomit ose familjarëve të tyre. Madje ai ka ironizuar nëse vendosja e tyre është bërë meqë “kanë qëllu me koordinata ashtu”.

Pas pyetjes direkte të deputetit Aliu, Çmeka e ka pranuar se një antenë e Telekomit tash e 10 vjet është në pronën e tij. Kontrata për vendosjen e antenës, Çmeka tha se është nënshkruar në emër të vajzës së tij.

Ish-menaxheri për zhvillim dhe planifikim në Telekomin e Kosovës, Avni Çmeka ka shtuar se antena është vendosur përpara se ai të ishte në pozitën e menaxherit.

“Më vonë ajo pronë më është nda mu. Antena është vendos qe 10 vjet, para se me qenë menaxher i planifikimit unë. Ajo ende vazhdon të jetë e vendosur”, ka theksuar Çmeka.

Më tej Çmeka ka shpjeguar se vendosja e antenave nëpër pika të caktuara është bërë një herë sipas vendbanimeve, më pas edhe sipas trafikut dhe marketingut.

“Një herë në bazë të vendbanimeve e më pas me rritjen e trafikut është planifiku edhe në bazë të trafikut, ky është kriteri teknik. Më vonë është kyçë edhe kriteri i marketingut. Këto janë të përcaktuara nga vet prodhuesi i antenave që i kanë të përcaktuara deri kur arrijnë rrezet e në bazë të kësaj është edhe kriteri se sa shpesh vendosen antenat”, ka shpreguar Çmeka.

Sipas Çmekës, vendosja e antenave nuk është privilegj. Po ashtu ai ka treguar se ka raste kur edhe pronarët refuzojnë që antenat të vendosen në pronat e tyre.

Avni Çmeka ka thënë se disa prej tyre që nga janari nuk kanë marrë pagesa për antenat e vendosura në pronat e tyre.

“Disa nga janari nuk kanë marrë pagesa për qiranë e vendosjes së antenave. Veç kanë fillu me i shkëputë kontratat”, ka thënë Çmeka.