Investitori nga Struga ndihet i pasigurt për investimin e tij në Lipjan

Krenar Ademi, një ndërmarrës nga Struga si dhe pronar i “Kenny’s Goat Ranch” fermës së dhive dhe dhenve në Babush të Muhaxhirëve-Lipjan është shprehur i pakënaqur me pasigurinë që Komuna e Lipjanit ia ka dhënë për të investuar edhe më shumë në këtë biznes.

Në një prononcim për KALLXO.com, Ademi ka thënë që në vitin 2011 kishte nënshkruar një kontratë me kryetarin e atëhershëm të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja për shfrytëzimin e një parcele dy hektarëshe e cila ishte në pronësi të Komunës, mirëpo sipas tij kontrata në fjalë është shumë jostabile për mundësinë e vazhdimit të biznesit në këtë parcelë.

“Kontratën që kam me Komunën në kohën kur z. Buja qeveriste, është shumë e varfër dhe nuk plotëson standardizim që do të thotë  nuk është garantues i investimeve të mia të tashme dhe të ardhshme nga ku sigurohem unë. Aktiviteti-investimi, punëtorët e tanishëm dhe vendet e lira të punës ne kemi kapacitet të hapim deri në 15 vende pune në këtë vend rural që është zona e 5-të katastrale”, ka thënë ai.

Mirëpo, Krenar Ademi, nga qyteti i Strugës, aktualisht me vendbanim në ShBA, kërkon që për të zgjeruar biznesin e tij t`i mundësohet nga Komuna vazhdimi i kontratës në fjalë edhe për 99 vite.

“Nga Komuna kërkoj të më transformojë Kontratën e parë nga 10 vite me mundësi vazhdimi në 99 vite, që unë të ndjehem i sigurt në investimet e mia se besoj që dhe ju jeni dakord ngase në Kosovë ndodhin befasia brenda natës e unë nuk i kam gjetur paratë në ferra.m Është normale që të jem i kujdesshëm dhe të kërkojë siguri”, ka thënë ai.

Ferma e dhive dhe deleve “Kenny’s Goat Ranch” aktualisht posedon rreth 520 dele me qengja. Pronari Ademi ka treguar se ka pasur edhe 230 dhi por i ka shitur ngase nuk ka arritur të marr leje nga Komuna për ‘ngritjen e bahçes se qumështit’.

Ademi poashtu ka kërkuar që për zgjerim të biznesit të tij, Komuna t`ia jap në koncesion edhe 4 hektarë të cilat janë të pazhvilluara.

“Të më lejohet që nga parcela numër 562-1 e Fshatit Babush i Muhaxhereve, Lipjan të më mundësojë në koncesion të plus 4 hektarëve të tjera për 99 vite të cilat janë të pashfrytëzuara dhe janë vetëm ferra”, ka shtuar ai.

Ademi ka thënë që investimet e deritanishme në këtë biznes kanë me vlerë rreth 265,000.00 dollarë, derisa është zotuar që do të sjellë investime të tjera në vlerë prej 300,000.00 dollarëve brenda një afati prej 5 viteve.

KALLXO.com, ka kontaktuar Komunën e Lipjanit nga të cilët ka kërkuar informacione për kontratën në fjalë dhe mundësinë e vazhdimit të kësaj kontrate.

Bukurije Zejnullahu, zyrtare për informimin nga kjo komunë ka thënë që kontrata e Krenar Ademit skadon në vitin 2021.

“Krenar Ademit nga Struga me vendbanim në Fushë Kosovë i është dhënë në shfrytëzim pjesa e ngastrës kadastrale me sipërfaqe prej 2.04.93 hektar Zona Kadastrale Babush i Muhaxherëve, në afat prej 10 vitesh, kontrata e cekur skadon 02.02.2021”, thuhet në përgjigje të Komunës.

Duke mos dhënë informacione se a i ka plotësuar kushtet për vazhdim të kontratës, biznesmeni në fjalë, Zejnullahu ka thënë që do ta shohin interesin publik për mundësinë e vazhdimit të Kontratës.

“Pas skadimit të kontratës, Komuna e Lipjanit do ta shqyrtoj interesin publik të komunës dhe do të veprojë konform Ligjit Nr.04/L-144 për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës”, ka theksuar ajo.

KALLXO.com ka raportuar se në prill të këtij viti një ari i ka mbytur 70 dele e qengja të fermës “Kenny’s Goat Ranch’.