Një hartë imagjinare e Ballkanit nga i ashtuquajturi "Shteti Islamik" | Foto: Facebook

Interpol: 137 Kamikazë të ISIS, Gati për të Goditur Evropën

Analizat e fundit të rrjetit më të madh policorë në botë Interpol tregojnë për një rrezik potencial për sulme terroriste në Evropë.

Në një paralajmërim të tij Interpol ka paraqitur informacionet se 137 militantë të Shtetit Islamik janë stërvitur për të organizuar dhe kryer sulme vetëvrasëse në Evropë

Interpol pretendon të ketë në dorë edhe listën, e cila është hartuar nga shërbimet amerikane të inteligjencës në bazë të informacioneve të mbledhura në Siri dhe Irak.

Sipas së përditshmes britanike “The Guardian”, për momentin nuk ka të dhëna që xhihadistët të kenë hyrë në territorin evropian, por Interpol paralajmëron se Evropa duhet t’i përgjigjet këtij kërcënimi.

Në listën në fjalë xhihadistët përkufizohen si individë që mund të jenë stërvitur për të ndërtuar dhe vendosur bomba, në mënyrë që të shkaktojnë sa më shumë viktima. Gjithashtu, dyshohet se ata mund të jenë në gjendje të udhëtojnë në mbarë botën.

Për këtë arsye, Interpol u ka kërkuar vendeve partnere informacione mbi këta persona, si dokumentet e identitetit dhe lëvizjet e mundshme të tyre, pavarësisht se mund të bëhet fjalë për pseudonime ose identitete të rreme.