Kalaja në Vushtrri | Foto: KALLXO.com

Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve Reagon për Vendimin e Kryetarit të Vushtrrisë

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) tha sot se kiosqet për të cilat kryetari i komunës së Vushtrrisë anuloi kontratat këtë javë, nuk kanë qenë të planifikuara të ndërtohen brenda Kalasë së këtij qyteti, por në një parcelë ngjitur me këtë monument.

KALLXO.com raportoi më 13 shkurt për vendimin e kryetarit Tahiri.

“IKMM-ja ka për obligim që të informojë drejtë qytetarët se në oborrin e Kalasë së Vushtrrisë me nr. të parcelës 255, nuk ka pasur projekt për ndërtimin e kisoqeve, por që kiosqët në fjalë kanë qenë të parapara për ndërtim në hapësirën e jashtme të Kalasë së Vushtrrisë, përkatësisht në parcelën nr.256-0 e cila është pronë shoqërore, me të cilën menaxhon Komuna e Vushtrrisë. Për ndërtimin e kiosqëve në pronën komunale ka bërë kërkesë Komuna e Vushtrrisë, e cila edhe e ka autoritetin për anulimin e atyre kontratave, por të cilat nuk janë paraparë të ndërtohen në oborrin e Kalasë së Vushtrrisë, por në parcelën ngjitur me oborrin e kalasë”, thuhet në reagimin e IKMM.

“Për shfrytëzimin e Kalasë është shfuqizuar vetëm një kontratë, e cila është marr nga vetë institucioni që e ka lëshuar atë (pra IKMM), bëhet fjalë për rastin e shndërrimit të një pjesë të Kalasë së Vushtrrisë në Restaurant (përkatësisht objektit montazh dhe jo kullës)”, thotë IKMM.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe kryetarin e komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, për të komentuar rreth reagimit të IKMM-së.

“Komuna e Vushtrrisë sqaron se ka anuluar 5 kontrata për shkak të mosrespektimit të kushteve kontraktuese nga qiramarrësit. Këto parcela gjenden në atë pjesë që konsiderohet oborr i Kalasë”, tha Tahiri.