Ilustrim: Viza FOTO: RTK

Instituti kosovar sqaron pse liberalizimi për Kosovën s'mund të hyjë në agjendën e Këshillit të BE-së

Diskutimet e fundit në opinionin publik se Kosova mund apo të mos jetë  në agjendë të Këshillit të BE-së me datën 6-7 dhjetor i ka sqaruar Instituti i Politikave Evropiane të Kosovës (EPIK).

“Çështja e liberalizimit të vizave nuk mund të hyjë në agjendë të Këshillit të BE-së me 6-7 dhjetor, pa një votim paraprak të Parlamentit Evropian. Më 13 shtator 2018, Parlamenti Europian votoi për t’i dhënë mandatin Komisionit LIBE për nisjen e negociatave ndër-institucionale me Këshillin e BE-së dhe Komisionin Europian. Pra, për të sqaruar votimi nuk ka qenë për plotësim ndryshim të Rregullores 539/2001, por vetëm për nisjen e negociatave ndër-institucionale apo trialogut. Trialog janë takime joformale ndër-institucionale tri-paleshe në mes Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së”, është thënë në një komunikatë për media.

Instituti EPIK po ashtu ka  konfirmuar se çështja e liberalizimit të vizave nuk mund të hyjë në agjendë të Këshillit të BE-së me 6-7 dhjetor, pa një votim paraprak të Parlamentit Evropian – gjë që është e pamundur të ndodh gjatë kësaj jave.

“Në këtë drejtim, neni 294 specifikon se në leximin e parë Parlamenti Europian do të miratojë qëndrimin e tij me shumicë të thjeshtë dhe do t’ia komunikojë atë Këshillit. Më pastaj, Këshilli miraton qëndrimin e tij me shumicën e dyfishtë që nënkupton 55% të Vendeve Anëtare që përfaqësojnë 65% të popullsisë, dhe akti legjislativ në fjalë miratohet në formën që korrespondon me pozitën e Parlamentit Evropian. Akti legjislativ hyn në fuqi 20 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të BE-së”, është thënë në këtë komunikatë.

Instituti EPIK thotë se duke marrë për bazë agjendën e publikuar në faqen zyrtare të Këshillit, është konfirmuar se në asnjë prej 10 përbërjeve të Këshillit të BE-së, çështja e liberalizimit të vizave nuk është paraparë të jetë në agjendë të takimeve.

“Në këtë kontekst, duke pas parasysh rëndësinë publike të çështjes së liberalizimit të vizave, Instituti EPIK fton të gjithë përfaqësues të institucioneve që të janë të matur dhe të saktë në aspektin procedural të vendim-marrjes në procesin e liberalizimit të vizave”, thuhet në njoftimin e tyre.