Uji

Instituti i Shëndetësisë Publike flet për cilësinë e ujit të pijshëm

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka publikuar raportin vjetor për cilësinë e ujit të pijshëm në Kosovë për vitin 2017.

Sipas këtij raporti është konstatuar se, krahasuar me vitin paraprak, rezultatet e monitorimit në vitin 2017 tregojnë një përmirësim të cilësisë së ujit të furnizuar nga shtatë Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit.

“Kështu, nga 59,604 teste të kryera gjatë vitit 2017, përputhshmëria me standardet e cilësisë mikrobiologjike është në shkallën 99.54% ndërkaq përputhshmëria me standardet kimike në shkallën 98.30%. Kjo rezulton me një shkallë të përgjithshme të përputhshmërisë prej 98.58%”, thuhet në raport.

Sipas drejtorit të IKSHPK-së,  Naser Ramadani, sfida më e madhe sa i përket sigurimit të cilësisë së ujit të pijshëm është mbajtja e trendit pozitiv të rezultateve të monitorimit të cilësisë së ujit të pijshëm edhe pas integrimit të sistemeve komunale dhe atyre rurale të ujësjellësit brenda Kompanive Rajonale të Ujësjellësit (KRU).

“Sfidë tjetër për IKSHPK është zbatimi i rregulloreve të nxjerra në pajtim me Udhëzimin Administrativ 16/2012 (gjegjësisht me Direktiva Evropiane për Ujin e Pijshëm). Adresimi me sukses i këtyre sfidave kërkon ngritjen e kapaciteteve përmes kompletimit të stafit profesional dhe aftësimit të vazhdueshëm të tij”, thekson më tej Ramadani.

Bazuar në rezultatet e monitorimit të kryer nga Qendra e Ujit e Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), cilësia e ujit për vitin 2017 është  rreth 99 %  në përputhshmëri me vlerat parametrike për ujin e pijshëm.

Raportin e plotë të IKSHPK-së, mund ta gjeni këtu.