Arkiv: Fotografi nga migrimi në fund të 2014-ës dhe fillim të 2015-ës

Institucionet kosovare përballë ikjes së të rinjve pas liberalizimit të vizave

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha nuk beson se do të ketë fluks të të rinjve, të cilët mund ta lënë Kosovën pas liberalizimit të vizave.

Në një përgjigje për KALLXO.com, ministrja Hoxha thotë se informimi i mirë i qytetarëve do të ndikojë që të mos ketë vështirësi pas marrjes së vizave.

“Nuk besoj se do të ketë një fluks të tillë. Së fundi, Ministra e Integrimit Evropian në bashkëpunim me GIZ, ka realizuar një hulumtim ku vetëm 2.1% e respodentëve janë përgjigjur pozitivisht për migrimin. Po ashtu, mendoj se informimi i mirë do të ndikoj që të mos ketë fluks dhe lëvizja e lirë të jetë brenda kufijve racional e assesi të shkaktoj vështirësi të cilat mund të ndikojnë negativisht për lëvizjen e lirë”, thuhet në përgjigjen e ministres së MIE-së.

Sipas ministres Hoxha, dihet se me rastin e liberalizimit, është i ndaluar punësimi në vendet e Shengenit, ndërsa procedurat e lehtësimit për marrjen e lejes se punës, atje, është çështje që i takon kompanive dhe individëve ku sipas saj, Ministria nuk mund të implikohet.

Ministrja Hoxha thekson se nëse ngjan fluksi i daljes së të rinjve jashtë vendit, do të pasojë edhe fluksi i kthimit të tyre në Kosovë.

“Lëvizja e lirë do të thotë krijim i mundësive të reja për turizëm dhe qëndrim maksimal 90 ditor, por jo edhe punësim apo studim, nëse ngjan fluksi i daljes jashtë vendi, do të pasojë edhe fluksi i kthimit sepse, duhet të respektohen rregullat për lëvizjen e lirë. Qytetaret tanë janë të informuar dhe po informohen vazhdimisht se shtetasit e Kosovës nuk mund të marrin azil në vendet e BE-së sepse Kosova është vend i sigurt”, thuhet në përgjigjen e ministres Hoxha për KALLXO.com.

Ndërkaq, në një tryezë të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë javën e kaluar, u tha se  rreth 60 për qind e të rinjve kosovarë pritet ta lënë Kosovën pas liberalizimit të vizave për të kërkuar një jetë më të mirë në vendet perëndimore.

Por i bindur se nuk do të ketë dalje masive të  qytetarëve në Evropë pas marrjes së vizave, është shprehur edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.

Në një konferencë për media, ministri Gashi dje deklaroi se viti 2019 do jetë vit i ndryshimit të madh për rininë e Kosovës dhe paralajmëroi themelimin e një fondi rinor për t’i ndihmuar ata.

“Nuk do të tolerojmë në asnjë mënyrë dhe nuk do lejojmë si institucione që të rinjtë tanë të këqyrin veç si të largohen prej Kosovës. E di që është problem i madh, por bashkë mund t’ia dalim”, tha ministri i MKRS-së.

Sipas Ministrisë së Integrimit Evropian, penalizimet për individët që keqpërdorin liberalizimin e vizave mund të shkojnë deri në 5 vjet ndalim për të hyrë në zonën Shengen.

Ndërsa, në rast se vërehet një numër i dukshëm i abuzimeve me të drejtën e udhëtimit pa vizë, atëherë Bashkimi Evropian mund të suspendojë liberalizimin e vizave për shtetin përkatës.

Kosova është në pritje të votimit për liberalizimin e vizave nga  ministrat e  Këshillit të Evropës, pasi Parlamenti Evropian javë më parë ka votuar pro lëvizjes së lirë të kosovarëve.

Ndërkohë edhe Grupi Punues për Vizat i Këshillit të Bashkimit Evropian të martën dhe të mërkurën do të qëndrojë në Kosovë.