Objekti i Semitronix - Pejë

Inspektoriati rrënon katin e fundit të objektit të Semitronix-it në Pejë

Inspektoriati në Komunën e Pejës sot ka filluar aksionin për rrënimin e katit të fundit të objektit të Semitronix-it në Pejë, pasi është  konstatuar se ky kat është i ndërtuar pa leje.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe shefi i kabinetit në Komunën e Pejës, Durim Sheremeti.

“Pasi që inspektorët tanë kanë dalur në teren e kanë vërejtur se janë duke u zhvilluar punime pa leje. Pas një dite sot në ora 10 ka filluar rrënimi i objektit”, deklaroi Sheremeti.

Shefi i kabinetit të Komunës së Pejës tha se këto veprime janë në koordinim edhe me Policinë e Kosovës dhe paralajmëroi se aksione të tilla do të vazhdojnë në gjithë qytetin e Pejës.

“Këto veprime janë në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe jemi duke vazhduar në të gjitha objektet të cilat janë duke zhvilluar punime pa leje”, tha Sheremeti.