Ish-imami Shefqet Krasniqi në gjykatë - Foto: KALLXO.com

Inspektori Tatimor: Shefqet Krasniqi i Ka Kryer Obligimet Tatimore

Inspektori tatimor i Administratës Tatimore të Kosovës, Xhemë Shala, ka vazhduar dëshminë e tij në gjykimin e ish-imamit të Xhamisë së Madhe, Shefqet Krasniqi, i cili, ndër të tjera, akuzohet edhe për shmangie nga tatimi.

Dëshmitari u është përgjigjur edhe pyetjeve të prokurorit të Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj, lidhur me raportin e përpiluar nga ai për ndërmarrjen “Portat”, në pronësi të të akuzuarit Krasniqi.

I pyetur a qëndron prapa raportit të kontrollit të vitit 2016 dhe prapa aneks-raportit të atij viti, dëshmitari tha se raporti i kontrollit është përpiluar nga ai nën mbikëqyrjen e udhëheqësit të ekipës dhe menaxherit regjional dhe se në tërësi qëndron prapa tij.

“Sa për aneks kontrollin aty janë pasqyruar të gjitha obligimet tatimore dhe i vetmi ndryshim është termi që përdoret në kontrollet e përditshme, që në vend të termit “tatimi shtesë“ ose “obligim tatimor” është fjala “shmangie tatimore” që në punën e përditshme  të Divizionit tim përdoret termi tatim shtesë, përndryshe të gjitha të dhënat në aneks kontroll janë bartur nga raporti i kontrollit por vetëm ky dallim”, theksoi Xhemë Shala.

Dëshmitari u pyet edhe nëse pas përfundimit të kontrollit i është dhënë afat tatimpaguesit për gjetjet e kontrollit.

“Jo vetëm në fund të raportit por gjatë gjithë ecurisë së kontrollit ka qenë bashkëpunimi me përfaqësuesin e tatimpaguesit dhe në përfundim të kontrollit i ofrojmë tatimpaguesit një draft-raport me të gjitha të gjeturat e kontrollit, ndryshimet nga kontrolli, baza ligjore dhe ka afat prej 5 ditëve të punës që nëse ka prova mund t’i ofrojë ATK-se me ndryshu raportin dhe nuk ka pasë vërejtje në draft-raport dhe nuk janë ofru prova për ndonjë ndryshim të draft-raportit”, theksoi dëshmitari.

“Do të thotë pas përpilimit të draft-raportit tatimpaguesi nuk ka pasur vërejtje dhe e ka nënshkruar atë?”, pyeti prokurori. “Po”, u përgjigj dëshmitari.

I pyetur nëse tatimpaguesi e ka shfrytëzuar të drejtën e ankesës, tha se nëse s’ka vërejtje në draft-raport ai shndërrohet në raport përfundimtar dhe pastaj i dorëzohet tatimpaguesit. “Dhe sa jam në dijeni i ka kryer obligimet tatimore dhe sa jam në dijeni gjendja e tij është pa obligime tatimore”, theksoi inspektori tatimor.

Në dëshminë e tij, dëshmitari theksoi se tatimi bazë i tatimpaguesit ka qenë rreth 20 mijë e diçka euro dhe shtoi se shuma e vendosur në raport është pa ndëshkime.

Më tej ai u përgjigj edhe në pyetjen se për çfarë tatimesh është bërë kontrolli.

“Tatimi mbi vlerën e shtuar, mbi të ardhurat personale, tatimi i mbajtur në burim në paga dhe kontribute për punëtor dhe diku në vitet e fundit tatimi i mbajtur në burim në qira”, shtoi dëshmitari.

I pyetur se nga e dinte se tatimpaguesi i ka shlyer të gjitha obligimet, dëshmitari tha se nga gjendja e tatimpaguesit në ATK.

Dëshmitari tregoi po ashtu se tatimpaguesi e ka shfrytëzuar edhe Ligjin për faljen  e ndëshkimeve dhe e ka parë në gjendjen e tij që një pjesë të borxhit e ka të falur

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit, dëshmitari shpjegoi se hapjen e kontrollit e kanë bërë me kërkesë të Krimeve Ekonomike dhe autorizimin e menaxherit regjional, të cilat dokumente i janë prezantuar tatimpaguesit.

Në seancën e sotme të gjykimit të Shefqet Krasniqit u dëgjua dëshmia e dëshmitarit Xhemë Shala, inspektor tatimor në ATK.

http://kallxo.com/inspektori-tatimor-deshmon-per-akuzen-per-shmangie-tatimi-te-ish-imamit/

Ish-imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë përveç për shmangie tatimore po gjykohet edhe për për shtytje në kryerjen e veprave terroriste, nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar.