Inspektori nga Kamenica Dënohet për Ryshfet
Inspektori nga Komuna e Kamenicës Sadullah Dermaku është dënuar me 15 muaj muaj burgim dhe me 300 euro gjobë për veprën e ryshfetit.
Lajmin për dënimin e Dermakut e ka bërë të ditur për KALLXO.com Sabit Shokdra, zyrtari për informim i Gjykatës Themelore në Gjilan.
Edhe Gjykata në Gjilan ka lëshuar komunikatë në lidhje me këtë dënim.
I dënuari, sipas komunikatës, akuzohej se sa ka qenë inspektor në Kamenicë ka marrë ryshfet nga B.Sh në shumën prej 500 eurove.
Këtij zyrtari, sipas vendimit të shkallës së parë, i ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike në kohëzgjatje prej dy vjetëve, pas mbajtjes së dënimit me burgim.
“Pas bastisjes nga ana e zyrtarëve policorë në bashkëpunim me prokurorin e rastit, te i akuzuari janë gjetur të hollat. Me këto veprime i akuzuari S. D. ka kryer veprën penale marrje ryshfeti, neni 428 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës (KPRK)”, thuhet në komunikatën e gjykatës.
Palët në këtë gjykim kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi të gjykatës.