Objekti për të cilin po gjykohet inspektori komunal Enver Bytyqi – Foto: KALLXO.com

Inspektori komunal akuzohet se nuk e pengoi ndërtimin e objektit 13-katësh

Inspektori i ndërtimtarisë pranë Drejtorisë së Inspektorateve të Prizrenit, Enver Bytyqi, ka dalë para gjykatës për t’u përballur me akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Bytyqi po akuzohet për mosrrënimin e objektit banesor 13-katësh, i ndërtuar pa leje.

Në seancën e mbajtur në Gjykatën e Prizreni, i akuzuari mohoi akuzat e Prokurorisë.

Kur u pyet nga gjyqtarja e rastit Raima Elezi për të kaluarën e tij,  se a ka qenë i dënuar, Bytyqi tha se ka qenë i dënuar për veprat e njëjta, për keqpërdorim të pozitës apo autoriteti zyrtar.

I akuzuari tha se ka qenë i dënuar me gjobë, me të holla, ndërsa shtoi se në dy rastet e fundit kur ka qenë i akuzuar është liruar nga akuzat.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Prizrenit, inspektori Enver Bytyqi si person zyrtar, ka shkelur ligjin për ndërtimin duke mos rrënuarr objektin i cili nuk kishte leje ndërtimi fare, me qëllim që personi tjetër të përfitojë.

I akuzuari sipas aktakuzës vetëm ka kryer punë administrative në hartimin e procesverbaleve duke mos sjellë konkluzione për rrënimin e objektit pa leje, dhe i ka mundësuar përfitim pasuror 13 kate për investitorin me pronar Feim Hamitin, i cili poashtu është i bashkakuzuar me inspektorin Enver Bytyqi.

Enver Bytyqi në kohën kur është marrë në pyetje në prokurori ka deklaruar se investitori ka pasur një kontratë me koncesion me Kuvendin Komunal dhe se ndërtimin pa leje fshehtazi e ka lejuar stafi menaxhues i Kuvendit, sipas tij me qëllim që të ndërtohen një pjesë e banesave për familjet të dëshmorëve, invalidëve dhe familjeve me raste sociale.

I akuzuari Bytyqi në Prokurori ka deklaruar se gjatë ndërtimit ka qenë me dhjetëra herë për të inspektuar punimin dhe kur ka filluar ndërtimi i katit të tetë (8) i akuzuari ka thënë se ka marrë konkluzion për rrënimin e objektit. Ndërsa për rrënim të objektit ka qenë kompania kontraktuese nga Kuvendi Komunal që është përgjegjëse për ekzekutimin dhe rrënimin e konkluzioneve të inspektorëve.

Ndërsa i akuzuari Enver Bytyqi ka deklaruar se kur objekti ka vazhduar të ndërtohet nga kati i nëntë (9) i njëjti ka qenë i suspenduar nga puna me vendim të kryetarit të Komunës.

Feim Hamiti, si investitor i objektit 13 katësh, akuzohet për veprën penale të heqjes apo dëmtimit të vulave zyrtare.

Feim Hamiti akuzohet se me datë 3 qershor të vitit 2017, ka hequr dhe ka dëmtuar vulën zyrtare të vendosur nga zyrtari i autorizuar me qëllim të sigurimit të objektit.

Pas vendosjes së shiritave nga inspektorët komunalë, i akuzuari Feim Hamiti nuk ka përfillur vërejtjet e dhëna për ndalim të punimeve në objektin e ndërtimit, dhe i njëjti ka hequr shiritat e vendosura dhe ka vazhduar ndërtimin e objektit pa leje.

Në prill të këtij viti, Prokuroria e Prizrenit kishte ngritur aktakuzë ndaj dy personave për objektin trembëdhjetë katësh pa leje ndërtimi.

https://kallxo.com/prizren-aktakuze-per-mos-rrenim-te-objektit-trembedhjete-katesh-pa-leje/

www.kallxo.com

26 Maj 2019 - 21:48

Marcel Lekaj 26/05/2019 - 21:48
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend