Foto: KALLXO.com

Inspektori i Prizrenit me dy aktakuza

Inspektori i ndërtimtarisë në Drejtorinë e Inspektorateve në Prizren, Nexhmedin Musliu, ka dalë sot para Gjykatës për t’u përballur me një aktakuzë tjetër.

Sikurse sot, i pandehuri Musliu kishte dalë më 26 prill 2019 para Gjykatës së Prizrenit për t’u përballur me akuzën e njëjtë – keqpërdorim i detyrës zyrtare në kuadër të një aktakuze tjetër.

Inspektori tha se nuk e ndien veten fajtor pasi më parë aktakuzën e lexoi prokurori Mehdi Sefa.

Në seancën e sotme, Nexhmedin Musliu tha se për arsye financiare nuk ka angazhuar mbrojtës. Por tha se këtë do ta bëjë në shqyrtimet e ardhshme.

Seancën e ka drejtuar gjyqtari Xheladin Osmani.

Nexhmedin Musliu akuzohet se në periudhën kohore 2016-2017 në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit në Prizren duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk ndërmerr konkluzion për rrënimin e katit të 8-të të kompleksit ndërtimor “Kastrati Comerc”, me pronar Nazmi Kastrati, i cili kishte leje ndërtimi por ka ndërtuar një kat pa leje në lagjen “Jeta e Re”.

Po ashtu, sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu ka mundësuar ndërtimin e tre kateve pa leje të firmës “Coneng”, me pronar Skender Vata, e që kishte leje për dy kate.

Deri në seancën e radhës të datës 15 korrik, i akuzuari mundet vetë apo edhe nëpërmjet mbrojtësit të paraqes kundërshtimet ndaj provave të Prokurorisë apo edhe të kërkojë hedhjen e aktakuzës, për të cilën gjyqtari merr vendim të posaçëm jashtë seance.

Më 26 prill 2019, në seancën fillestare të rastit tjetër gjyqësor, Musliu bashkë me mbrojtësit e tij avokatët Gent Gjini dhe Blend Gjini kishin paraqitur kërkesë për hedhje të aktakuzës.

Atë ditë, i akuzuari ishte deklaruar i pafajshëm.