Inspektorët Tatimorë i Raportojnë Prokurorit për Bastisjet në Veri

Nën krismat e kallashnikovëve hetuesit e ATK-së kanë arritur të sigurojnë prova se bizneset kanë gisht në shmangien e tatimeve. Siç tregoi reportazhi i transmetuar nga “Drejtësia në Kosovë”, pas rreth dy orësh bastisjeje njësitë tërhiqen nga bizneset, ndërsa rrugëtimi i tyre vazhdon për në prokurorinë e Mitrovicës ku do merren udhëzimet e reja.

Nën urdhrat e prokurorit Sahit Tmava hetuesit e ATK-së kanë zhvilluar aksionin më të madh që nga shpallja e pavarësisë së vendit  në hetimin e shmangies së tatimit në pjesën veriore të vendit.

Prova materiale dhe dosje janë marrë nga bizneset të cilat dyshohet se prodhonin fatura fiktive për bizneset në jug të cilat u shmangen tatimeve dhe obligimeve ndaj shtetit.

Aksioni i zhvilluar në zonën më problematike të vendit është shoqëruar me krisma të kallashnikovëve në afërsi ku po kryheshin bastisjet. Kur provat janë në duar të sigurta dhe të gjithë janë në pjesën jugore, koha është për të raportuar para prokurorit të rastit.

“Kemi zbatuar urdhëresën e bastisjes, sipas kërkesës së gjyqtarit të procedurës paraprake. Mbarëvajtja ka shkuar mirë, nuk ka pasur rezistencë. Dy nga të dyshuarit, kemi patur informacionet paraprake që jetojnë në Serbi, por kohë pas kohe janë në Kosovë, nuk janë gjendur dhe u janë lënë thirrjet. Ndërsa në dy lokacionet kemi hy, në njërin lokacion është bërë bastisja e shtëpisë, në lokacionin tjetër është bastisur kioska ku ne kemi dyshuar se e mbanë evidencën e kontabilitetit”, thotë Murat Mehmeti gjatë raportimit para prokurorit Sahit Tmava, pas përfundimit të aksionit të bastisjeve.

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, inspektorëve të ATK-së  u janë dashur mbi tre muaj hetime nën udhëheqjen e prokurorit Sahit Tmava. Hetimet kanë rezultuar me dëshmi që ngrisin dyshime për miliona tatime të vjedhura nga shteti.

Hetimi ende nuk ka përfunduar, prokurori udhëzon edhe veprime të reja hetimore për ekipin të cilat duhet të kryhen me urgjencë.

“Të merren në pyetje të pandehurit, dëshmitarët, edhe personat që janë për momentin jashtë shtetit në momentin që kemi informacione se janë në territorin e Kosovës, gjithashtu të merren në pyetje edhe të përfundojmë me hetimet”, deklaron prokurori Sahit Tmava, i cili po udhëheq me hetimet për vjedhjen tatimore të bizneseve nga veriu i vendit në bashkëveprim me bizneset në brendi të Kosovës.