Inspektorati i Arsimit kërkon riformulimin e rregullores për avancim në Fakultet të Arteve

Inspektorati i Arsimit i ka kërkuar sot Senatit të UP-së që brenda 8 ditësh ta riformulojë rregulloren dhe në përputhje me të, të veprojë edhe me konkursin e fundit për avancime për sa i përket Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës.

Kështu njoftoi organizata ORCA e cila tha se kjo kërkesë e inspektoratit, e shprehur në formën e rekomandimi i cili nëse nuk zbatohet brenda 8 ditësh pritet të kthehet në vendim, vjen pas ankesës që ka ushtruar ORCA javë më parë pranë këtij institucioni.

“Më 18 maj 2018, ORCA ka ushtruar kërkesën për inspektim te Inspektorati i Arsimit ku ka kërkuar anulimin e rregullores për avancimin e profesorëve në Fakultetin e Arteve të UP-së dhe rrjedhimisht anulimin e pjesshëm të konkursit për zgjedhjen e stafit akademik të UP-së.”, thuhet në njoftim.

ORCA thot se  i ka bërë këto kërkesa për faktin se rregullorja aktuale e Fakultetit të Arteve e miratuar në muajin prill, cenon rëndë cilësinë e mësimdhënies në UP duke mospërfillur ekzistencën e gradës “Doktor i Arteve”, duke e njohur vetëm gradën “Master i Arteve”, kësisoj duke pamundësuar konkurrencën e doktorëve të arteve dhe doktorantëve të arteve në këtë fakultet.

Sipas ORCA-s në Rregullore janë gjetur shkelje të cilat e dëmtojnë rëndë cilësinë e arsimit në UP. Neni 3, pika 1.1. dhe 1.2, në emër të procesit të ekuivalentimit  të gradave, është barazuar grada “Dr. Sc.” (Doktor i Shkencave) me atë të Mr/Ma të Arteve, ndërsa grada “Doktor i Arteve” nuk është përfshirë (pra, nuk figuron-ekziston)  si formulim as si gardë, as si përparësi dhe as si epërsi në raport me gradën “Mr/Ma i Arteve”. Kjo do të thotë se në rast se kandidon një kandidat me “Mr/Ma të Arteve” në të njëjtin konkurs me një kandidat me gradën “Doktor i Arteve”, ky i fundit nuk do të ketë përparësi ndaj tij. Më këtë nen të Rregullores, është shkelur neni 175, 176, 177 dhe 178 të Statutit të UP-së, ngase askund në Statut nuk thuhet se grada Dr. Sc. është e barabartë me gradën Mr. apo Ma.

Sot më 22 qershor 2018 sipas kompetencave ligjore inspektorati ka lëshuar rekomandimin i cili nëse nuk zbatohet brenda 8 ditësh, kthehet ne vendim.

 “Me gjithë sqarimet e mësipërme, asnjëri nga të kontaktuarit nuk e mori kompetencën për të dhënë vlerësimin e saktësisë profesionale dhe juridike të rregullores, prandaj inspektorja e arsimit duke u bazuar në nenin 5.1 të Ligjit për Inspeksionin e Arsimit në Kosovë, institucionit të respektuar i rekomandon:
1. Në afat prej 8 ditësh, përmes autoriteteve kompetente të UP të bëhet një interpretim ligjor dhe profesional në lidhje me çështjet e konstatuara në procesverbal, të ngritura nga OJQ ORCA (Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim) dhe të merret vendimi për nevojën e rishqyrtimit (riformulimit) të rregullores.
2.Varësisht nga konstatime e organeve kompetente të UP për zbatim të rekomandimit të parë, të veprohet edhe me konkursin e UP, nr.prot. 1/173, dt. 27.04.2018 në lidhje me pikën 10 për Fakultetin e Arteve (të anulohet ose zbatohet).” – thuhet në procesverbalin e Inspektoratit që mban nënshkrimin e inspektores Besa Halmi – Zagragja.

“ORCA e përshëndet këtë rekomandim të Inspektoratit dhe i kërkon Senatit të UP-së që sa më parë t’i bëjnë përmirësimet e nevojshme me qëllim të mbrojtjes së interesit shtetëror për cilësi në arsim. ORCA do ta shfrytëzojë çdo mundësi ligjore dhe demokratike për mbrojtjen e cilësisë deri në fund të procesit”, përfundon njoftimi.

ETIKETA

22 Qershor 2018 - 14:48

Doruntina Baliu 22/06/2018 - 14:48
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend