FOTO: Komuna e Prizrenit

Inspektorati gjobit ndërtuesin pa leje në Prizren

Një objekt i një qendreje tregtare në ndërtim e sipër në Komunën e Prizrenit është konstatuar se ka tejkaluar lejen ndërtimore nga inpspektorati i kësaj komune.

Sipas Komunës së Prizrenit. Drejtoria e Inspektoratit që nga fillimi, është duke i identifikuar të gjitha këto raste pa përjashtim, ndër to edhe rastin e një qendre tregtare në ndërtim e sipër, në rrugën Tirana.

“Investitori i këtij objekti, përveçse nuk i është përmbajtur lejes së ndërtimit, ka bërë shkelje edhe në projektin e infrastrukturës së qytetit. Një pjesë ekëtij objekti është duke u ndërtuar në hapësirën e paraparë për rrugë qarkulluese. Pasojat e ndërtimeve të këtilla kanë ngulfatur qytetin, prandaj inspektorët komunalë kanë kërkuar nga investitori që t’i ndalë punimet duke ia ofruar mundësinë për revidimin e lejes ekzistuese”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit përkundër kësaj mundësie, punët kanë vazhduar në mënyrë të kundërligjshme. Prandaj, inspektorët komunalë sërish kanë intervenuar dhe kanë shqiptuar gjobë sipas udhëzimit administrativ.

Mbi 35% të ndërtimit të këtij objekti është jashtë kordinatave të lejes ndërtimore, për më tepër është mbyllur edhe rruga qarkulluese e paraparë me plan urbanistik.

“Komuna është e interesuar që të ketë sa më shumë investime, por investimet duhet t’i përmbahen ligjit dhe rregullave të parapara. Nuk mund të ketë zhvillim pa e respektuar rendin dhe ligjin”, përfundon njoftimi.