Injorohet vendimi i MAShT, në shumë shkolla nuk mbahet mësimi

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë e Kulturë (SBAShK), Rrahman Jasharaj ka treguar se sot në pjesën më të madhe të shkollave nuk po zhvillohet procesi mësimor për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës në arsim.

Jashari ka thënë për KALLXO.com se janë duke mbeldhur informacione te detajuara për numrin e shkollave të cilat janë duke mbajtur sot mësim.

“Jemi duke i mbledhur informatat, por sipas njoftimeve të fundit që kemi, pjesa më e madhe e shkollave nuk janë duke mbajtur mësim, vetëm ndonjë shkollë aty- këtu, me numër të vogël të nxënësve dhe mësimdhënësve”, ka thënë Jashari.

Ai tutje ka shtuar se shumica e shkollave e kanë respektuar vendimin e Këshillit Drejtues.

Jashari ka thënë se Ministria e Arsimit së bashku me Drejtoritë e Arsimit në Komuna duhet të mos nguten dhe të presin vendimin e gjykatës në lidhje me kompensimin e orëve të humbura.

Ai ka shtuar se deri në fund të ditës, pritet të dalin me një komunikat rreth kësaj çështje.

KALLXO.com ka tentuar të marr një prononcim edhe nga Ministria e Arsimit, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.

KALLXO.com ka raportuar mbrëmë se orët e humbura për shkak të grevë në arsim, sipas SBAShK, nuk do të kompenzohen deri në vendimin përfundimtar të gjykatës.

Ministria e Arsimit e Shkencës dhe e Teknologjisë ka marrë vendim për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës se mësimdhënësve të organizuar nga SBAShK-u.

Sipas këtij vendimi, mësimi i humbur për shkak të ndërprerjes së përkohshme të mësimit në institucionet e arsimit parauniversitar publik, me rastin e grevës së mësimdhënësve do të zëvendësohet:

5 ditë të zëvendësohen nga pushimi pranveror, prill 2019;

5 ditë të shtuna të zëvendësohen gjatë vitit shkollor 2018/2019;

5 ditë të zgjatet përfundimi i vitit shkollor 2018/2019.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj kishte deklaruar se këtë padi e kanë bërë pasi që konsiderojnë se vendimi për zëvendësimin e orëve të humbura, nuk ka bazë ligjore.

“Këtë aktpadi po e bëjmë nga fakti se konsiderojmë që vendimi i tijnuk është i bazuar në asnjë ligj, pra as në ligjin për greva. SBAShK-u me dokumentin që dorëzon në gjykatë ka kërkuar nga gjykata gjegjëse që fillimisht të pezullojë vendimin e ministrit Bytyqi, pastaj të marrë vendim meritor në bazë të argumenteve që ne i shtruam dhe në bazë të ligjit për greva”, tha Jasharaj.