Prezantimi i raportit të KDI-së, ”Investimet e arnuara". Foto: Kallxo.com

Infrastuktura në Kosovë, Kosto e Lartë e Kualitet i Dobët

Keqmenaxhimi i projekteve, kualiteti i dobët i punimeve, mosndëshkimi i operatorëve ekonomikë nga institucionet për shkak shkeljeve kontraktuale, janë probleme të cilat i ka evidentuar Instituti Demokratik i Kosovës KDI në raportin ”Investimet e arnuara” të publikuar sot.

Raporti përmban vlerësime të kostove të humbura nga buxheti gjatë implementimit të punëve që e paguan qytetari taksapagues. Sipas raportit, kjo krijon edhe kosto shtesë për buxhetin familjar dhe qytetarin si shfrytëzues të objekteve infrastrukturore.

Në raport përmendet ndërtimi i “Parkut të Biznesit” në Drenas i cili i ka kushtuar humbje buxhetit prej 66 mijë e 485 euro, dhe dy shkolla ne komunën e Ferizajt të ndërtuara nga kompania e njëjtë me probleme të njëjta duke krijuar kosto shtesë të “arrnimit” në vlerë prej 55 mijë e 220 euro.

Diana Metushi Krasniqi nga KDI theksoi se menaxhimi i dobët i projekteve infrastrukturore po krijon kosto shtesë nga taksat qytetarëve.

“Buxheti i konsoliduar po keqpërdoret në projekte infrastrukturore, keqmenaxhimi i projekteve infrastrukturore po krijon kosto shtesë ne arnimin e projekteve, dhe kjo po krijon kosto shtesë që po e bartin vet qytetarët dhe ne nuk mund të lejojmë të humbin taksat tona”, tha Metushi Krasniqi.

Safet Hoxha, Kryetar i Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik, theksoi se keqmenaxhimi i kontratave sjell punë të dobëta që e prishin komplet imazhin e prokurimit publik.

“Sistemi i menaxhimit të fondeve publike tregohet në dobësitë që janë paraqitur në raport, planifikimi i dobët dhe menaxhimi i dobët i projekteve puna jo e mirë krijon që komplet prokurimi publik merr karakter negativ. Ne kemi vendosë një klauzolë por ajo iu ka vendosur menaxhimit administrativ të kontratave, e jo menaxhimit të punëve të kontratës, andaj kërkohet nga institucionet që të jenë të përkushtuar në menaxhim të punëve”, tha Hoxha.