Kryeministri indian, Narendra Modi

India mban zgjedhjet kombëtare nën tensione

Zyrtarët për zgjedhje në Indi kanë njoftuar se zgjedhjet e ardhshme kombëtare do të realizohen në shtatë faza në muajt prill dhe maj, teksa sondazhet kanë treguar se koalicioni i udhëhequr nga kryeministri indian, Narendra Modi mund të fitojë shumicën në parlament.

Shefi i komisionit për zgjedhje, Sunil Arora ka thënë se zgjedhjet do të mbahen më 11,18,23, 29 prill dhe 6,12, dhe 19 maj.

Rreth 900 milionë persona kanë të drejtë vote në Indi, derisa numërimi do të bëhet më 23 maj.

Në këtë proces është thënë se zyrtarët zgjedhorë do të mund të angazhojnë trupa për të parandaluar dhunën në ditët e votimit, si dhe do të bllokojnë aktivistët e partive në këtë vend që të mos kenë kontrollin e qendrave të votimit.

Në një sondazh të realizuar nga CVoter, ka rezultuar se Aleanca Demokratike Kombëtare, e udhëhequr nga Modi do të fitojë 264 nga 543 ulëset në parlament.

Këto zgjedhje do të mbahen në një periudhë tensionuese për Indinë.

Rivalët bërthamorë, India dhe Pakistani kanë acaruar marrëdhëniet, pas një sulmi vetëvrasës që ka lënë të vdekur 40 zyrtarë indianë në rajonin e Kashmirit më 14 shkurt.

Një grup militant me bazë në Pakistan, ka marrë përgjegjësinë për sulmin, derisa Nju Delhi ka akuzuar Pakistanin për përfshirje në incident, pretendim i hedhur poshtë nga Islamabadi.

Ky sulm është përcjellë më vonë me sulme ajrore mes aeroplanëve ushtarake të të dyja vendeve.

ETIKETA

11 Mars 2019 - 11:39

REL 11/03/2019 - 11:39
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend