INDEP: Standardizimi i produkteve vendore, rrugë për tregun e jashtëm

Instituti për Politika Zhvillimore ka organizuar konferencën “Standardizimi i produkteve vendore: Shpërndarja dhe shitja e standardeve”.

Dardan Abazi, hulumtues në Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP) ka prezantuar udhëzuesin e standardizimit të produkteve vendore.

“Projekti ka synuar me propozu politika që fuqizojnë kornizën institucionale dhe të ofrojnë bizneseve materiale që do të promovonin standardizimin e produkteve dhe rritjen e cilësisë së produktit. Ne kemi realizuar dy punime dhe sot e lëshojë edhe një manual, i cili synon të japë një korniza për produktet dhe cilësinë e tyre, ne si organizatë kemi pasur rastin që për herë të parë kemi qasje në këtë lloj analize. Ne kemi vizituar disa biznese me produkte vendore e që ato produkte me anë të cilësisë së produkteve do të kemi rastin të krijojmë një konkurueshmëri në tregun e jashtëm.Vetëm duke rritur kualitetin e produkteve vendore ne do të arrijmë të mirat që i sjellë MSA-ja”, tha Abazi.

Ndërsa Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Kosovare për Standardizim, Hafiz Gara ka shpjeguar punën e kësaj agjencie.

Ai ka treguar për komitetet që janë formuar për krijimin e standardeve dhe implementimin e tyre.

“Agjencia Kosovare e Standardeve ka themeluar 18 komitete të standardeve, komiteti i parë ka qenë ai i ndërtimit për shkak se kemi synuar që mjetet me të cilat ndërtohet të jenë të fjalës së fundit nga ana perëndimore e botës, deri më tash janë plotësuar 11 mijë standarde dhe mbi 90 për qind këto standarde i përmbushin nevojat për të qenë pjesë e tregut evropian. Nuk ka një trupë vendore për certifikim të produkteve  dhe është faza finale e një produkti dhe është faza më e fundit e implementimit të standardeve. Produktet duhet të jenë të testuara në të gjitha format në mënyrë që të mund të hyjnë në tregun evropian”, ka treguar Gara.