Incident në një nëndegë të PDK-së në Skenderaj

Procesit i brendshëm zgjedhor në një nëndegë të PDK-së në Klinë të Epërme të Skenderajt është zhvilluar me polemika dhe tensione.

Sipas burimeve të KALLXO.com disa persona, përkrahës të kryetarit të kësaj Komune, Bekim Jashari, janë fjalosur me kryetarin e të rinjve të PDK-së në këtë komunë, Alban Berisha.

Berisha në një prononcim për KALLXO.com tha se personat i njeh vetëm si figurë por jo më shumë, derisa mohoi se ka pasur sulme fizike mes tyre.

“Jo, nuk ka qenë sulm fizik ka qenë vetëm një kacafytje me fjalë, asgjë tjetër. Kanë qenë vetëm ofendime, s’ka pasë diçka tjetër. Si figurë unë dy personat i njoh por nuk ia di emrat”, tha Berisha.

Ai pretendon se personat janë të afërm me Bekim Jasharin. Për njërin thotë se është daja dhe vozitës i kryetarit.

“Incidenti erdhi për shkak se ishim duke e mbajtë procesin dhe ata më thanë s’ki çka lypë ti këtu”, shtoi Berisha për KALLXO.com

KALLXO.com ka provuar ta kontaktojë edhe Bekim Jasharin por ai nuk ka qenë i qasshëm.