Incident në Jarinje, veturat e EULEX-it kalojnë në Serbi duke shpërfillur ndalesat kufitare

Dy vetura që besohet se i takojnë EULEX-it kanë shkaktuar pasdite një incident në pikën kufitare të Jarinjës në veri të Kosovës.

Dy veturat kanë kaluar në Serbi pa u ndaluar në pikat kufitare dhe janë rikthyer në Kosovë në të njëjtën formë pa përfillur kontrollet kufitare të Policisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

KALLXO.com ka siguruar raportin që policët e kësaj pike kufitare e kanë përpiluar për eprorët e tyre në Prishtinë.

Në raport thuhet se dy veturat e EULEX-it nuk ishin ndalur as në dalje e as në hyrje përsëri në Kosovë.

“Me datën 18.02.2019 në stacionin policor të pikës kufitare në Jarinje kanë ardhur dy vetura të EULEX-it të cilat me shpejtësi të madhe kanë dalë nga territori i Republikës se Kosovës për në Serbi pa u ndaluar fare ne pikën Kufitare të Jarinje, pa u ndaluar fare as të pala serbe”, thuhet ne raportin të cilin e siguruar KALLXO.com

Sipas këtij raporti, dy veturat e EULEX-it nuk kanë shkuar shumë në drejtim të territorit të Serbisë për t’u kthyer përsëri në territorin e Kosovës.

“Kanë shkuar edhe 20- 30 në territorin serb ku të njëjtit menjëherë janë kthyer prapa pa u ndaluar fare në hyrje të pala serbe e as në stacionin policor kufitar të Jarinje. Kanë shkuar diku rreth 100 metra ne territorin e Republikës së Kosovës ku janë ndaluar dhe kanë ngritur një dron për të filmuar”, thuhet tutje në këtë raport policor i cili sqaron se zyrtarët e këtij institucioni ishin lëshuar në drejtimin e tyre mirëpo prapë veturat ishin larguar me të vërejtur se janë objekt i ndjekjes policore.

“Ne kemi shkuar në drejtim të tyre për të verifikuar se kush janë mirëpo ata me të vërejtur që ne jemi duke shkuar në drejtimin e tyre ata janë futur në vetura dhe kanë vazhduar drejt republikës së Kosovës. Targat e njërës veturë mund të jenë EULEX-…., kurse tjetrën veturë nuk kemi mundur t’i marrim targat. Ngjyra e veturave ka qenë njëra Hiri tjetra e Kaltër”, thuhet ndër të tjera në raportin policor.

KALLXO.com ka kërkuar sqarimi nga zyra për informim e EULEX-it për ta ditur arsyen se pse këto dy vetura nuk i kanë përfillur rregullat e kësaj pike kufitare dhe cila ka qenë arsyeja e daljes se tyre disa metra në territorin e Serbisë.

“Ne jemi në dijeni për një incident që ka ndodhur dje në të cilin janë përfshirë automjetet e EULEX-it në pikë-kalimin kufitar të përbashkët në Jarinje. Ne jemi duke i shqyrtuar rrethanat lidhur me këtë incident si dhe jemi duke e bërë mbledhjen e të gjitha fakteve. Ky Mision i trajton këto incidente me seriozitetin më të madh dhe nëse zbulohet ndonjë shkelje, pjesëtarët e personelit që supozohet të kenë qenë të përfshirë në të do të përballen me pasojat e plota”, thuhet ne përgjigjen e EULEX-it për KALLXO.com.

Sqarime për incidentin janë kërkuar edhe nga zyra e mediave të Policisë së Kosovës. Të njëjtit kanë sqaruar se janë duke hetuar rrethanat ndërsa përgjigja do jetë gati vetëm të mërkurën në mëngjes.