Vendi i ngjarjes së vrasjes së trefishtë në Gjakovë | Foto: KALLXO.com

Incident i rëndë në Gjakovë, brenda një ore dy të rinj u therën me thikë

16 14

 

Gjykata e Gjakovës ka marrë vendim që të vendosë në paraburgim për 30 ditë personin që brenda një ore e 15 minutash arriti të therë me thikë dy të rinj në Gjakovë.

Gjykata në vendimin e saj sqaron se i dyshuari ka arritur që në një kohë shumë të shkurtër të shkaktojë dy incidente të rënda.

Ngjarja kishte ndodhur ditën e kremtes së Pavarësisë ndërsa  gjykata shpjegon edhe rrethanat e ngjarjes.

Fillimisht i dyshuari kishte therur një person në njërën nga kafiteritë e Gjakovës ndërsa më pas në oborrin e shkollës “Prenk Jakova” ka goditur me thikë një person tjetër

“Kemi të bëjmë me vepra penale të natyrës së rëndë dhe të njëpasnjëshme të kryera në interval kohorë prej 1 orë e 15 minuta, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale apo i kryerjes së ndonjë vepre të re penale” thuhet në komunikatën e Gjykatës së Gjakovës

 

12: 14

Prokuroria e Gjakovës ka kërkuar paraburgim për një të ri i cili ditëve të fundit ka shkaktuar incidente të rënda në këtë qytet.

A.B. është paraburgosur nën dyshimet se në dy raste të ndara ka therur me thikë dy të rinj, njërin në oborrin e shkollës e tjetrin në prezencën e prindërve dhe familjarëve të tij.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se A.B. ka kryer veprën penale të “lëndim i rëndë trupor”.

“Rasti ka ndodhur në Komunën e Gjakovës, me datë 17.02.2019, pikërisht në oborrin e një shkolle, ku përderisa i dëmtuari B.D., ishte duke luajtur basket me shokët e tij, i pandehuri së pari hyn në fushë duke i ofenduar të gjithë, dhe pastaj i revoltuar e sulmon të dëmtuarin, duke e goditur dy herë me thikë, në pjesën e nënsqetullës dhe në shpinë, kështu të njëjtit i shkakton lëndime të rënda trupore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

“Rasti tjetër ka ndodhur të njëjtën ditë me datë me 17.02.2019,  pikërisht në një lokal në Gjakovë, ku përderisa i dëmtuari D. Sh. ishte duke pirë kafe me familjarët e tij, i pandehuri A.B., shkon tek tavolina e tij së pari fillon ta ofendojë me fjalë e pastaj e sulmon duke e goditur  një herë me thikë në pjesën e nënsqetullës, dhe kështu i shkakton lëndime të lehta trupore”, thuhet në njoftim.

Prokurori i rastit, ndaj të pandehurit A.B., ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh.