Foto: Ministria e Infrastrukturës

Inaugurohet fillimi i punimeve të rrugës Varosh-Gërlicë

Sot, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe kryetari i Ferizajt, Agim Aliu si dhe deputetë të kësaj ane, inauguruan fillimin e punimeve të rrugës Varosh-Gërlicë, rrugë me rëndësi për banorët e kësaj ane.

Ministri Pal Lekaj duke i uruar banorët e këtyre trevave dhe duke folur për rëndësinë e kësaj rruge tha së kjo rrugë do krijojë qasje shumë më të mirë për qytetarët dhe bizneset.

“Dua ta ndaj me ju një lajm të mirë për bizneset lidhur me kyçjet në autostradë duke filluar nga rruga apo vendbanimet si Driton Islami, Talinoci i Muhaxherëve, Sazli dhe Papaz, që do të jetë kyçje në autostradë dhe që do të ndikojë pozitivisht tek bizneset” tha Lekaj.

Gjithashtu, ministri i Infrastrukturës shtoi se ndërtimi i kësaj autostrade do ta lidhë Kosovën me Europën.

“Nuk është vetëm ky projekt sepse ne kemi hapur një punishte në tërë Kosovën e sidomos në autostradën “Arbën Xhaferi” e cila e zhvillon këtë anë në përgjithësi duke filluar nga Prishtina, Ferizaj, Kaçaniku, Vitia e shumë e shumë vende sepse kjo autostradë na lidhë me Europë”, tha ministri Pal Lekaj.

Ndërsa kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, e ka falënderuar ministrin Lekaj për mbështetjen e vazhdueshme dhënë kësaj komune, sidomos për projektin i cili filloi së implementuar sot, duke theksuar se ky projekt ka rëndësi të veçantë për Ferizajn dhe banorët e Varoshit dhe Gërlicës.

Rruga Varosh-Gërlicë, do të kushtojë mbi 2 milionë euro dhe do të përfundojë brenda 36 muajsh.