Inaugurohet Çerdhja e Fëmijëve në Klinë

Në qytetin e Klinës është inauguruar çerdhja e re e fëmijëve, për ndërtimin e të cilës kanë kontribuar OJQ-ja “Save the Children”, Qeveria italiane dhe Komuna e Klinës.

Punët për ndërtimin e çerdhes kanë nisur në gusht të vitit të kaluar.

Për ndërtimin e një çerdheje të re është premtuar në shumë palë zgjedhje, pasi që objekti i çerdhes së vjetër vlerësohej të ishte në gjendje të mjerueshme.

“Dhe vetëm nëse i kthehemi retrospektivës e kuptojmë se në çfarë gjendje ka qenë objekti i atyre më të dashurve tanë – fëmijëve. Dhe tani do të kemi rastin që të shohim ketë objekt”, tha kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, duke folur për domosdoshmërinë e ndërtimit të çerdhes së re, e cila do ta mbajë emrin e heroinës së kombit Xhevë Lladrovcit.

Në inaugurimin e çerdhes i pranishëm ishte edhe ambasadori italian në Kosovë, Andreas Ferrarese, vendi i të cilit është një prej donatorëve kryesor të këtij kopshti të fëmijëve.

Ferrarese vlerësoi lartë bashkëpunimin e Qeverisë italiane me Komunën e Klinës në lidhje me këtë donacion. “Pa hyrë në ato detaje të bisedimeve tona, unë e di që do të jetë diçka shumë e rëndësishme për qytetin tuaj”, potencoi Ferrarese.

Në anën tjetër, Ahmet Kryeziu, drejtor i OJQ-së “Save The Children”, organizatë e cila ishte donatori më i madh i projektit, siguroi mbështetjen e vazhdueshme për Komunën e Klinës në projektet e ardhshme.

“Ju komunikoj përkushtimin tonë se ne do të jemi prapa jush në vitet në vijim, në ofrimin dhe realizimin e këtyre objektivave”, tha Kryeziu.

Për dallim nga çerdhja e vjetër e qytetit, e cila kishte vend për 50 fëmijë, kjo e reja ka kapacitet për pranimin e 120 fëmijëve.

Për fillimin e punimeve për ndërtimin e kopshtit të fëmijëve në Klinë,  KALLXO.com ka raportuar në muajin gusht të vitit 2015.

http://kallxo.com/fillon-ndertimi-i-cerdhes-se-premtuar-ne-kline/