Inaugurimi i kryetarit dhe asamblistëve të rinj të Komunës së Deçanit - Foto: KALLXO.com

Inaugurohen Kryetari dhe Asamblistët e Rinj të Deçanit

Bashkim Ramosaj është betuar sot se do të punojë me nder, me ndërgjegje e në pajtim me ligjin gjatë kohës sa do të jetë në krye të Komunës së Deçanit.

“Unë Bashkim Ramosaj, betohem se do t’i kryej detyrat e mia dhe do t’i ushtrojë kompetencat si kryetar i komunës se Deçanit me nder, besnikëri, në mënyrë të paanshme, me ndërgjegje dhe pajtim me ligjin. Në mënyrë që të siguroj kushtet për një jetë të qetë për të gjithë. Betohem”, u betua  Ramosaj.

Gjatë mandatit 4-vjeçar, Ramosaj tha se fokus të veçantë në planin qeverisës do ta ketë zhvillimin ekonomik, arsimin, shëndetësinë dhe infrastrukturën.

Në seancën inauguruese betimin e dhanë edhe këshilltarët e rinj komunalë.

“Betohem se do t’i kryej me nder, me besnikëri, pa anime e me ndërgjegje dhe sipas ligjit do t’i ushtrojë autorizimet e mia, si anëtar i Kuvendit të Komunës së Deçanit, në mënyrë që të sigurojmë kushte për jetë të qetë për të gjithë”, u betuan asamblistët.

Seancën solemne e udhëhoqi këshilltari më i vjetër, Haki Shehu.

Pas betimit dhe një pauze u votua për kryesuesin e ri Asamblesë.

Haki Shehu ishte kandidati i vetëm që u propozua nga AAK-ja dhe ai u zgjodh kryetar i Kuvendit Komunal.

Bashkim Ramosaj fitoi pa balotazh në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Nga 27 ulëse në Asamblenë Komunale, AAK-ja ka fituar 16, LDK-ja 5, dhe PDK e LVV nga dy.