Importi Shtrenjtohet 3.9 Për Qind

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) thotë se Indeksi i tërësishëm i çmimeve të importit në Kosovë u ngrit në një mesatare prej 0.8% në tremujorin e tretë të vitit 2017 krahasuar me tre muaj më parë.

ASK tregoi sektorët të cilët shënuan rritje të çmimeve.

“Ngritje më të mëdha të çmimeve sipas sektorëve ishin te: produktet bimore (6.7%); metalet bazë dhe artikujt e metaleve bazë (3.7%); këpucët (2.2%); tekstili dhe artikujt e tij (2.0%); shtazët e gjalla dhe produktet e shtazëve (1.3%); produktet minerale (1.1%); letrat dhe artikujt e saj (0.9%); plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre (0.6%); artikujt ushqimorë të përgatitur, pijet dhe duhani (0.5%) dhe artikujt e gurit, llaçit, produktet e qeramikës dhe të qelqit (0.5%)”, thuhet në komunikatë

Sipas ASK-së, rënia e çmimeve ndodhi te lëkura dhe artikujt e saj -7.3 për qind, artikujt e ndryshëm të prodhuar -2.8 për qind,  pajisjet e makinerisë dhe pajisjet elektrike -1.6 për qind, instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale dhe muzikore, si dhe mekanizmat e orës -1.5 për qind; vajrat ushqyese -1.3 për qind, produktet e industrive kimike -0.2 për qind, druri dhe artikujt e drurit -0.1 për qind dhe mjetet e transportit -0.1 për qind.

Rritje të çmimeve të importit kishte edhe në krahasim me periudhën korrik- shtator të vitit të kaluar.

Sivjet në raport me vjet importi ishte më i shtrenjtë për 3,9 për qind.

Në periudhën korrik- shtator të këtij viti në raport me çmimet e importit të kësaj periudhe të vitit të kaluar më të shtrenjat sipas Agjencisë së Statistikave ishin produktet bimore (18.6%); produktet minerale (10.4%); metalet bazë dhe artikujt e metaleve bazë (10.4%); tekstili dhe artikujt prej tij (4.8%); artikujt e gurit, llaçit, produktet e qeramikës dhe të qelqit (4.1%); plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre (3.9%.

Më shtrenjtë sivjet kushtuan edhe instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale dhe muzikore, si dhe mekanizmat e orës (3.8%); shtazët e gjalla dhe produktet e tyre (3.6%); druri dhe artikujt prej tij (3.2%); vajrat ushqyese (1.2%); dhe artikujt ushqimorë të përgatitur, pijet dhe duhani (0.2%).

Në periudhën korrik- shtator 2017 më lirë u blenë nga importi lëkura dhe artikujt e saj (-3.5%); letra dhe artikujt e saj (-3.3%); këpucët (-2.9%); artikujt e ndryshëm të prodhuar (-2.3%); pajisjet e makinerisë dhe pajisjet elektrike (-2.2%); produktet e industrive kimike (-0.9%); dhe mjetet e transportit (-0.7%).

ASK-ja tregoi edhe më herët për çmimet e importit.

http://kallxo.com/luhaten-cmimet-e-importit/

http://kallxo.com/importi-u-shtrenjtua-ne-fund-te-2016-es/