Ilustrim: Poqi elektrik

Importi i Rrymës Është Rritur për 61% në 2017

Në vitin 2017 kishte rënie të prodhimit të thëngjillit dhe energjisë elektrike. E në anën tjetër kërkesa për energji është rrit duke e rrit importin e energjisë dhe reduktuar eksportin e saj. Konsumi i energjisë ka shënuar shifër rekorde.

Në vitin 2017 prodhimi i thëngjillit ishte 7.57 mijë tonë duke shënuar rënie në krahasim me një vit më parë sa ishte 8.80 mijë tonë. Apo një rënie prej 9 për qind. Meqenëse nga viti 2015 për të vazhduar në 2016-ën, prodhimi i thëngjillit ishte në rritje, u pësua një rënie dukshme në 2017-ën për të ndikuar më pas edhe në prodhimin e rrymës për konsum. Të dhënat e publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë për një rënie të prodhimit të energjisë për 13 për qind. Në termocentrale u prodhuan 5.725 GWh energjisë elektrike bruto në vitin 2017 krahasuar me 6,248 GWh. Kjo rëni e prodhimit të energjisë buron nga problemi që kishte KEK-u me sigurimin e thëngjillit për shkak të zvarritjes së procesit të zhvendosjeve të energjisë. Me rënie ishte edhe prodhimi i energjisë elektrike në hidrocentrale, ku prej 234.6 GWh në 2017-ën ra në 180.2 GWh.

Konsumi i energjisë elektrike është rritur deri në 4,107.8 GWh duke shënuar një rritje 14 për qind në krahasim me vitin paraprak. Kjo rritje është rekorde, pasi deri më tani kemi pasur rritje të lehta e në vite të caktuara edhe rënie të konsumit të energjisë.

Të gjitha këto kanë ndikuar që importi i energjisë elektrike të rritet dukshëm. Për t’i plotësuar nevojat për furnizim me energji elektrike, importi u rrit rreth  61 për qind për energji elektrike krahasuar me vitin 2016. Apo nga 458.8 GWh, importi u rritë në 742.0 GWh. Ky nivel i importit  nivel i ngjashëm importit me vitin 2009, ndërsa më i ulët se sa importi i vitit 2010 dhe 2011.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) është ballafaquar me krizë për prodhimin e energjisë elektrike, ku kishte njoftuar se po prodhonte me kapacitete të kufizuara. Për të mësuar nga afër gjendjen në këtë korporatë, kreu i Qeverisë  Ramush Haradinaj e kishte vizituar KEK-un.

Pas shumë përpjekjeve KEK arrin marrëveshje në me banorë e Hadës dhe Shipitullës ku përmes komunikatës KEK njofton se iu është kthyer prodhimi me kapacitete të plotë.

Të dhënat statistikore të ASK-së flasin se në vitin 2017, Kosova është dashur të reduktoj eksporti e saj të energjisë elektrike për të plotësuar nevojat e brendshme.

E të dhënat e tremujorit të fundit të 2017 flasin për një prodhim të thëngjillit prej 1.71 mijë tonë.

“Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2017 (TM4 2017) vlera e gjithmbarshme e prodhimit të thëngjillit është rreth 1.71 mijë tonë. Kurse, sasia bruto e energjisë elektrike, e prodhuar në termocentrale është 1,131.6 GWh dhe në hidrocentrale është 30.9 GWh”, thuhet në komunikatën e Agjencisë së Statistikave.

Vetëm në tremujorin e fundit, sasia e konsumit të energjisë elektrike është rritur për 18.5 për qind duke bërë që eksporti i rrymës të bie për duke rritur kështu importin e saj

“Sa i përket vlerave të energjisë së importuar, respektivisht të eksportuar, gjatë tremujorit të

katërt të vitit 2017, Kosova ka importuar 380.9 GWh energji elektrike, derisa gjatë të njëjtës

periudhë, pra TM4 2017, Kosova ka eksportuar 90.0 GWh energji elektrike. Në tremujorin e katërt të vitit 2017, sasia e energjisë elektrike e konsumuar në Kosovë është 1 094.0 GWh energji elektrike. Në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM4 2016), sasia e energjisë elektrike e konsumuar është ngritur për 18.5%”, thuhet në raportin e ASK-së në të cilin janë paraqitur të dhënat e tremujorit të katërt të vitit 2017.