Rahoveci nis punën për rregullimin e shtratit të lumit Rimnik në Rahovec

Në emisionin “Jeta në Komunë”, kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi u ballafaqua me gjendjen e Lumit Rimnik në Frotesë.

Në pamjet nga droni ishte parë se lumi ishte i mbushur me bërllog dhe se në të derdheshin ujërat e zeza.

Për këtë më 30 tetor në debat, Latifi tha se janë në proces të lidhjes së kontratës për rregullimin e këtij shtrati dhe se do të fillojnë rregullimin e tij.

”Lumi Rimnik është në proces për nënshkrimin e tenderit dhe nëse s’ka ankesë të procedurave  brenda një afati optimal si ta lidhim kontratën do ta fillojmë punën. Ne kemi organizim të shtratit, rregullim të kolektorit dhe zgjatje të shtratit në tri anë. Po shpresoj që s’do të ketë ankesë. Si të lidhet kontratat me kompaninë fillojnë punimet dhe përfundon vitin e ardhshëm”, tha ai.

Pas këtij premtimi më 11 nëntor, nisi realizimi i projektit për rregullimin dhe ristrukturimin e shtratit të lumit “Rimnik”.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi përmes një postimi në Facebook.

“Sot, në Fortesë, së bashku me drejtorin e DUPMM-së, menaxherin e kontratës Rumir Zhuniqin dhe bashkëqytetarë, ishim të pranishëm në fillimin e punimeve për rregullimin dhe ristrukturimin e shtratit të lumit, Rimnik. Me këtë investim synojmë të zgjidhim problemet e shumta që kanë shkaktuar vërshimet në dëm të banorëve dhe bujqëve”, ka shkruar ai.