Pompat e ujit në Banjë të Istogut

Pas raportimit të KALLXO.com rregullohet problemi 20 vjeçar i banorëve me pompat e ujit

Dje është bërë finalizimi i një projekti që kap vlerën prej 150 mijë eurove, lidhur me pompat e ujit për rregullimin e  mungesës së ujit në Banjë të Istogut.

Rregullimi i pompave erdhi dy javë pasi KALLXO.com kishte raportuar për këtë problem me të cilin po përballeshin banorët.

Drejtori i kompanisë “Hidrodrini”, Agron Tigani, konfirmoi për KALLXO.com për rregullimin e pompave.

“Dje janë vendosur pompat e ujit, tash jemi në fazën e testimit të shtypjes së ujit dhe disa procedurave të tjera që mund të marrin pak kohe për shkak të pandemisë”, tha drejtori Tigani.

Pompat e ujit në Banjë të Istogut

Edhe një banor i Banjës konfirmoi rregullimin e problemit.

“Dje është finalizuar projekti dhe janë vendosur pompat e ujit për të rregulluar problemin me ujin”,  tha ky banor për KALLXO.com.

KALLXO.com para dy javëve ka raportuar për shqetësimet e banorëve të Banjës se Istogut lidhur me problemet me mungesën e ujit në atë zonë për 20 vite.

Banorët në vazhdimësi kanë drejtuar kërkesa e peticione – Komunës dhe Hidrodrinit – Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit dhe Kanalizimit, por deri dje nuk ka pasur zgjidhje në këtë drejtim.

Për KALLXO.com drejtori i  kompanisë “Hidrodrini” në Pejë, Agron Tigani, kishte deklaruar se Hidrodrini ka hartuar një projekt i cili është në përfundim e që kap vlerën prej 150 mijë eurove të investuara për këtë zonë.

Ndërsa dje është bërë finalizimi i këtij projekti.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.