Pas raportimit të KALLXO.com rregullohet gjeneratori i Urgjencës Mjekësore në Vushtrri

Problemi me mungesën e energjisë elektrike në Urgjencën Mjekësore në Vushtrri kur ka reduktime është sanuar pas raportimit të KALLXO.com.

Më 21 gusht KALLXO.com raportoi se pacientët që i ishin drejtuar Urgjencës Mjekësore në Vushtrri nuk kanë mundur të marrin shërbimin e duhur në mungesë të energjise elektrike.

Qytetarët ishin ankuar se nuk ka pasur as gjenerator, pasi u ishte thënë se ai nuk funksionon.

Në lidhje me këtë çështje, KALLXO.com ka kontaktuar drejtorin e Shëndetësisë në Komunën e Vushtrrisë, Nexhmedin Rashica, i cili e ka pranuar se gjeneratori i Urgjencës Mjekësore është në defekt dhe ka treguar se janë iniciuar procedura për servisimin e tij pasi kontrata e mëhershme ka përfunduar.

Derisa, një ditë pas këtij raportimi, drejtori Nexhmedin Rashica përmes një njoftimi në rrjetin Facebook bëri të ditur se është arritur të sanohet problemi i mungesës së energjisë dhe se do jenë në shërbim të qytetarëve 24 orë.

“Ndërprerja e rrymës elektrike na ka dëmtuar në masë të madhe në dhënien e shërbimeve cilësore në nivelin primar shëndetësor. Kësaj i shtohet fakti se gjeneratori në QMF-1 ka qenë jashtë përdorimit, për shkak të disa problemeve teknike dhe ka qenë e pamundur të jepen shërbime adekuate, në këtë qendër, duke filluar nga: shërbimet e urgjencës; shërbimet laboratorike; shërbimet radiologjike dhe të gjitha shërbimet tjera të nivelit primar”, shkroi ai.

“Andaj ju njoftojmë se nga ky moment, me angazhimin e të gjithë neve, drejtorisë së QKMF-së dhe Drejtorisë të Shëndetësisë dhe Përkujdesjes Sociale, është arrit të sanohet ky problem dhe jemi në shërbim të qytetarëve të komunës tonë 24 orë”, ka shkruar më tej Rashica.

Vushtrri, Urgjenca Mjekësore pa rrymë, pacientët trajtohen nën dritat e autoambulancës