Pas raportimit të KALLXO.com, Komuna e Prishtinës shpall tender për rrugën në zonën historike të qytetit

Pas raportimit të KALLXO.com, komuna e Prishtinës ka shpallur tender për rigjenerim të rrugës ‘Mehmet Kaçurri’ (Rruga Model) në zonën historike të qytetit.

Për këtë projekt komuna planifikon të ndajë 380 mijë euro.

Më 3 tetor Kallxo.com raportoi lidhur me gjendjen e rëndë të kësaj rruge dhe ankesat e banorëve të kësaj zone.

Rigjenerimi i rrugës ‘Mehmet Kaçurri” kishte nisur në vitin 2020, por ishte në lënë e papërfunduar. Për pasojë, banorët janë përballur me baltë e pluhur për më shumë se dy vite.

Përgjatë kësaj rruge, janë edhe disa objekte të cilat bëjnë pjesë në listën e trashëgimisë kulturore.

Andaj, për çdo ndërhyrje, komuna e Prishtinës është dashur të marr fillimisht pëlqim nga Instituti për Mbrojtjen e Objeteve të Trashëgimisë Kulturore.

Sipas të dhënave në dosjen e tenderit, për këto punime, operatorët ekonomik duhet të ofrojnë dëshmi për stafin si vijon – Një Inxhinier i dip. i arkitekturës- min. 5 vite përvojë pune në punë restauruese dhe konservuese në trashëgimi, një Inxhinier i dip. i ndërtimtarisë (drejtimi konstruktiv) – minimum 3 vite përvojë pune (në punë restauruese dhe konservuese), një teknik (mjeshtër) të përpunimit të drurit minimum 3 vite përvojë pune në fushën e trashëgimisë kulturore, një teknik (mjeshtër) për shtrimin e kalldremit minimum 3 vite përvojë pune në fushën e trashëgimisë kulturore si dhe inxhinier të elektroteknikës dhe ndërtimtarisë.

Kontrata për këtë projekt po ekzekutohet përmes procedurës së hapur, derisa kriter për dhënie është ofertuesi me çmimin më të ulët.

Në disa pjesë të zonës historike të qytetit nuk lejohet shtrimi i rrugëve me asfalt, përpos me gur apo kalldrëm.