Pas raportimit të KALLXO.com komuna e Prishtinës nis procedurat për ndërtim të rrugës ‘Sylejman Vuçitërna’ në ‘Kalabri’

Rruga ‘Sylejman Vuçitërna’ në lagjen ‘Kalabria’ të kryeqytetit është në gjendje të rëndë infrastrukturore.

Kjo rrugë e cila është e shtruar vetëm në kocka, ka gropa, mungesë trotuaresh dhe nuk ka gjerësi të mjaftueshme.

KALLXO.com në fillim të muajit janar raportoi për gjendjen e rëndë infrastrukturore të kësaj rruge në të cilën ka më shumë se 10 vite që nuk është bërë ndonjë ndërhyrje.

Derisa, në gjendje të njëjtë janë edhe rrugët tjera lidhëse në këtë zonë si ajo ‘Rexhep Krasniqi’.

Më 30 janar komuna e Prishtinës ka shpallur tender për ndërtim të rrugës ‘Sylejman Vuçitërna’, përmes këtij tenderi do bëhen ndërhyrje edhe në rikonstruktim të rrugës ‘Ilir Konushevci’ dhe ndërtim i rrugës ‘Dëshmorët e Ponoshecit’.

Vlera e tenderit për ndërhyrje në këto rrugë është 356 mijë euro.

Mungesa e ndërhyrjes në këtë rrugë ka qenë edhe si shkak i vonesës së hartimit të planit rregullues për lagjen ‘Kalabria’.

Në muajin nëntor 2022 komuna e Prishtinës ka miratuar nisjen e procedurave për hartim të planit rregullues për këtë lagje.

Kryetari Përparim Rama ka bërë të ditur se vëmendja do jetë në ndikimin që do ketë rritja e koeficientit të ndërtimit nga 1.8 në 2.4.