Pas raportimit të KALLXO.com, ATK e dërgon zv/drejtorin e përgjithshëm në Anti Korrupsion

 

Zyra e Standardeve Profesionale në Administratën Tatimore të Kosovës e ka dërguar për hetime në Agjencinë Kundër Korrupsion, zëvendësdrejtorin e përgjithshëm Hamit Mulaj, pas publikimit të hulumtimit të KALLXO.com, në lidhje me dyshimet për fshehje të biznesit.

Lajmi është konfirmuar nga zyra e standardeve profesionale në ATK.

“Në lidhje me kërkesën tuaj të njoftojmë se z. Hamit Mulaj zv.Drejtor i Përgjithshëm i ATK-së, për të cilin ju keni raportuar me datën 04.03.2020, sipas Ligjit për deklarimin prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe ligjit të konfliktit të interesit është zyrtar i lart publik. Duke iu referuar pozitës së zyrtarit në fjalë dhe ligjeve të lartcekura, Divizioni për Standarde Profesionale rastin e ka dërguar në Agjencinë Kundër Korrupsion për trajtim”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Tre muaj më parë KALLXO.com, kishte publikuar hulumtimin në të cilin tregohej se si zyrtari i lartë i ATK-së, Hamit Mulaj, i cili mbanë pozitën e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm nuk i kishte deklaruar lidhjet me një biznes në momentin e deklarimit të pasurisë.

Hamit Mulaj, në deklarimin e pasurisë, kishte deklaruar se nuk ka pozita e as pronësi në ndonjë biznes, mirëpo hulumtimi disa mujor i KALLXO.com, kishte zbuluar se emri i tij figuronte në dy biznese.

KALLXO.com kishte gjetur se Mulaj është pronar i një biznesi që ende figuron në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK) me emrin “Pfleiderer novoterm Kosovë”.

Në lidhje me këtë biznes zv/drejtori Mulaj kishte deklaruar se biznesi në fjalë ishte mbyllur.

“Biznesi është i shlyer, gabim është ajo. Unë ua kam dërgu kërkesën atyre, ai është i fshirë moti, është mbyllë, me ta shihna në gjyq”, ka thënë Mulaj në një përgjigjen e tij përmes telefonit.

Mulaj e kishte bashkangjitur edhe një dokument që ai e ka marrë nga ARBK-ja, në të cilën thuhet se biznesi i tij asnjëherë nuk ka aplikuar për ri-regjistrim.

Mirëpo KALLXO.com ishte drejtuar në ARBK për më shumë informacione dhe kishte marrë përgjigje se biznesi i Mulajt, “Pfleiderer novoterm Kosovë” nuk ka aplikuar asnjëherë për ri-regjistrim dhe se nuk ishte shuar.

“Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë, duke u bazuar në shkresën me datë 26.02.2020 ka bërë kërkimin e informatave në databazën e bizneseve, ju njoftojmë se biznesi “Hamit Mulaj” B.I. me emër tregtar “Përfaqësia tregtare Pfleiderer novotern Kosovë“ me pronar Hamit Mulaj biznesi është regjistruar me datë 20.05.2002, mirëpo asnjëherë nuk ka aplikuar për ri-regjistrim, biznesi për të zhvilluar aktivitet ka qenë i obliguar që të bëjë ri-regjistrimin, (nënkupton faktin se biznesi është pasiv)”, thuhet në përgjigjen e ARBK-së, duke shtuar se biznesi “nuk është i shuar”.

Emëri i zëvendësdrejtorit të ATK-së, Hamit Mulaj është i lidhur edhe me një biznes tjetër. KALLXO.com ka gjetur se emri i zëvendësdrejtorit të ATK-së, Hamit Mulaj figuron si përfaqësues i biznesit “Termo-Trade” në një katalog të kompanisë “URSA” i cili është publikuar në vitin 2018.

Nga një kërkim i thjeshtë në Google, dalin të dhënat që Hamit Mulaj në ueb-faqen e kompanisë Gjermane ‘URSA’, figuron si përfaqësues për Kosovë. Kompania, përfaqësues i së cilës për Kosovë figuron emri i zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të ATK-së, Hamit Mulaj, është e shtrirë pothuajse në të gjithë Europën.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve thuhet se pronar i kompania “Termo-Trade” është Dritan Mulaj. Dritan Mulaj është vëllai i Hamit Mulajt, zv/drejtorit të ATK-së.

Mulaj në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, në vitin 2010, kishte deklaruar se vëllai i tij është pronar i një biznesi.

KALLXO.com kishte kontaktuar në numrin e telefonit i cili figuron në listën e përfaqësisë gjermane për Kosovë dhe telefoni ishte hapur nga Driton Mulaj, vëllai i zëvendësdrejtorit të ATK-së.

Në bisedën e parë me gazetarin e KALLXO.com, i cili ishte paraqitur si blerës, Driton Mulaj e ka pranuar se punon bashkë me vëllain e tij, Hamit Mulaj.

“Hamiti është vëllai im, ai ka startuar, ne punojmë bashkë, po tash jam si ma përgjegjës, jemi bashkë, s’guxojmë as me u nda, se Zoti s’na ka nda”, ka thënë vëllai i zëvendësdrejtorit të ATK-së.

Hamit Mulaj, i kontaktuar nga KALLXO.com, e ka mohuar se është person kontaktues në biznesin e vëllait të tij.

“Nuk është e vërtetë. Ai merr pagë, ai punon dhe ka pagë solide që e merr, çka do që të keni, nuk kam çka me diskutu me juve, unë e kam vëlla kur ka diçka i ndihmoj se e kam të nënës e të babës, tani i ke të sqaruara, në 2006-ën është mbyllë ajo”, ka thënë Mulaj në një përgjigje përmes telefonit për KALLXO.com.

Pasi e kishte parë emrin e tij në katalogun e kompanisë URSA, zv/Drejtori e kishte deklaruar se ky është një gabim teknik.

Për dallim nga biseda e parë në të cilën gazetaret e KALLXO.com, ishin paraqitur si blerës, në bisedën e dytë, Driton Mulaj kishte mohuar kategorikisht se vëllai i tij Hamiti ka gisht në kompani.

“Hamitin e kam vëlla, unë kam punuar 10 vite me ndërkombëtarë, në atë kohë kam punu edhe në këtë biznes, Hamiti nuk ka punuar kurrë në këtë kompani, emri i tij nuk figuron hiq, nuk është hiq e vërtet, çdo ku e ki Driton Mulaj”, tha ai.

Hulumtimin e plotë të këtij rasti mund ta lexoni duke klikuar në këtë link.