Pas raportimit në KALLXO.com - Aksion i ATK-së, bizneset në Bogë të Rugovës nuk lëshojnë kuponë fiskal - VIDEO

Raportimet e qytetarëve në KALLXO.com, i kanë dërguar inspektorët tatimor edhe në Bogë, fshat turistik në Rugovë.

 

Inspektorët e ATK-së, ia mësynë Bogës pasi në platformën e KALLXO.com ishte raportuar se një restorant në këtë zonë turistike po lëshonte kuponë fiktivë (jo tatimor), dhe përmes tyre po iu shmangej detyrimeve tatimore.

Një kupon i tillë ishte bashkangjitur në ankesën e qytetarit dhe i njëjti më pas ishte përcjellë në Divizionin e Standardeve Profesionale – ATK.

Pas trajtimit të rastit në ATK me urdhër të drejtorit të ATK-së në Pejë, Lazer Ramaja ishin caktuar dy inspektorë tatimor që të verifikonin vërtetësinë e informacionit.

Pasi pranuan detyrat dy inspektorët tatimor ia mësynë Rugovës.

Me të arritur në restorant shihen parregullsitë e para, në dy tavolina me klientë biznesi nuk ka lëshuar kuponë fiskal.

Pas konstatimit të parregullsive biznesit i bëhet me dije se do të ndëshkohet nga departamenti për shqiptimin e gjobave.

Si rezultat i raportimeve të qytetarëve në KALLXO.com, deri më tani janë kontrolluar qindra biznese në Kosovë.

Kontrolleve iu kanë nënshtruar kafiteri, furra, auto-parkingje, kompani të autobusëve, salla dasmash, dyqane, markete, diskoteka, lojëra fati dhe shumë biznese të tjera.

Përpos tyre gjatë këtyre gjashtë muajve ATK ka zhvilluar kontrolle edhe në një institucion publik.

Pas shkresave të KALLXO.com, agjencia e Arkivave të Kosovës iu nënshtrua kontrollit tatimor pas dyshimeve se nuk i kishte paguar tatimet për 22 punëtorë të punësuar me kontrata mbi vepër.

Si rezultat i raportimeve të qytetarëve në KALLXO.com gjatë vitit 2020 ATK ka shqiptuar mbi 100 mijë euro gjoba, ndërsa mbi 200 mijë euro janë shqiptuar që nga koha kur BIRN filloj implementimin e projektit të përkrahura nga Ambasada Britanike.

Raportimet në KALLXO.com rezultojnë  me mbi 200 mijë euro gjoba për bizneset brenda dy viteve