Agim Bahtiri. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pas raportimit në "Jeta në Komunë" Bahtiri dërgon mjekun në Zabërxhë të Mitrovicës

Halil Fejza, banor i fshatit Zabërxhë të Mitrovicës së Jugut kishte folur për hallet e banorëve të asaj ane në debatin “Jeta në Komunë” 

Një prej tyre ishte edhe mungesa e mjekut, i cili para pandemisë kishte vizituar ambulantën e këtij fshati dy herë në javë, ndërsa pas fillimit të pandemisë nuk kishte shkuar më.

“Para pandemisë ka ardhë nga dy herë në javë mjeku, prej pandemie e knej s’kanë ardhë“, ka thënë Fejza.

I përballur me këtë shqetësim nga qytetari, Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri më 7 tetor të këtij viti kishte premtuar se mjeku do të shkonte në ambulancë brenda disa ditësh.

“Unë ju garantoj se ka me shku mjeku prej të hënës“, kishte thënë Bahtiri,

Ai ka mbajtur premtimin e dhënë. Mjeku në fshatin Zabërxhë ka filluar të shkojë në këtë ambulancë dy herë në javë.

Vet Halil Fejza i cili kishte qenë pjesë e rubrikës “ Zëri i qytetarëve “ ka treguar për Kallxo.com se në ambulancën e këtij fshati tashmë ka filluar të shkojë mjeku dy herë në javë.

Por Fejza ka sqaruar se nuk ka ndonjë orar kohor të vizitës së mjekut, ndërsa nga ditët e javës ka thënë se ndonjë herë të hënën dhe të martën mjeku shkon në fillim të javës, ndërsa në fund të javës ditën e premte.