Meliza Haradinaj- Stublla, In Middle LTD

Pas hulumtimit të KALLXO.com, Meliza Haradinaj dënohet për fshehje të biznesit në Londër

Pas hulumtimit të KALLXO.com në muajin dhjetor të vitit 2018, Gjykata e Prishtinës e ka shpallur fajtore Meliza Haradinaj – Stubllën, këshilltaren politike të kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj për  raportim të rremë të pasurisë.

Gjykata e ka dënuar Haradinaj – Stubllën me burgim në kohëzgjatje prej 8 muajve, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën verifikuese prej 1 viti, nuk kryen vepër tjetër penale, si dhe dënim me gjobë prej 1 mijë euro, të cilin do ta paguajë brenda afatit prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Ndaj këtij vendimi të gjykatës, Haradinaj ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Sipas Prokurorisë, e akuzuara Meliza Haradinaj – Stublla  kishte vepruar në kundërshtim me nenin 5 dhe nenin 6 të Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtar ku ka qenë e detyruar që ta deklarojë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Në fund të vitit 2018, KALLXO.com kishte gjetur se Meliza Haradinaj – Stublla, këshilltarja politike e kryeministrit Ramush Haradinaj nuk e kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion biznesin që e kishte regjistruar në Londër. Ajo nuk kishte deklaruar të ardhura si pronare e kompanisë “IN MIDDLE LTD”, me zyre në “108 Woolmead Avenue” në Londër.

“IN MIDDLE LTD” ishte  themeluar në vitin 2015, dhe deri pak ditë para publikimit të hulumtimit kishte vazhduar të figurojë si biznes aktiv në “Companies House” në Britani të Madhe. Companies House ka kompetenca të njëjta me Agjencinë e Regjistrimit.

Si këshilltare politike e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili ka ardhur në pushtet në muajin shtator të vitit 2017, Meliza Haradinaj – Stublla ka qenë e obliguar të deklaroj pasurinë si zyrtare e lartë, edhe në vitin 2017 edhe në vitin 2018.

Por në formularin e deklarimit të pasurisë në vitin 2017, Meliza Haradinaj – Stublla, nuk ka deklaruar se është pronare apo person i autorizuar në ndonjë biznes.

Në Agjencinë Kundër Korrupsion, Haradinaj – Stublla ka deklaruar se merr 577 euro si pagë mujore nga Qeveria e Kosovës. Ndërsa ajo ka deklaruar se bashkëshorti i saj ka një fitim prej 8500 euro nga biznesi që e ka në Prishtinë.

Por Haradinaj – Stublla nuk ka deklaruar se posedon aksione në shoqëri komerciale apo letra me vlerë.

Edhe në formularin e deklarimit të pasurisë të vitit 2018, Haradinaj – Stublla nuk ka deklaruar se është pronare apo person i autorizuar në ndonjë biznes.

Në maj të vitit 2019, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj këshilltares së kryeministrit të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.

Këshilltarja e kryeministrit në largim Ramush Haradinaj ballafaqua në Gjykatë për akuzën e mosdeklarimit të pasurisë.

Pas vendimit të Gjykatës së Prishtinës, Haradinaj-Stublla ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.