Qyteti i Lipjanit, Foto: KALLXO.com

Pas debatit “Jeta në Komunë”, komuna e Lipjanit funksionalizon internet falas në shesh dhe në parqe

Sheshi “Adem Jashari” dhe parqet e qytetit të Lipjanit nga sot do të ketë internetin falas për të gjithë qytetarët.

Ky premtim i premtuar nga kryetari Imri Ahmeti në vitin 2017 është realizuar pasi që në emisionin “Jeta në Komunë” ishte gjetur se ky premtim nuk është realizuar.

“Free WIFI në parqet dhe vendet e qëndrimit në qytet”, ishte premtim i Ahmetit përmes një video të publikuar në Facebook, me mbishkrimin “Qyteti në katër vitet e ardhshme – Prioritetet në infrastrukturë për qytetin e Lipjanit”.

Imri Ahmeti në vitin 2017 kishte premtuar internet falas në parqe dhe vendet e qëndrimit në qytet, gjatë mandatit të tij të dytë, para se të merrte besimin e qytetarëve në zgjedhjet lokale atë kohë.

Komuna e Lipjanit më 13 tetor të këtij viti kishte thënë për KALLXO.com se e kanë shpallur tenderin për instalimin e internetit në parqe.

Megjithëkëtë, i pari i Lipjanit Imri Ahmeti, në “Jeta në Komunë” u zotua se qytetarët brenda 10 ditësh do të mund të kenë internet pa pagesë në pesë pika të qytetit.

“Internet do të ketë falas për qytetarët e Lipjanit në pesë pika. Unë po besoj që brenda 10 dite ajo kryhet sepse është në procedurë, duke aplikuar”, tha ai, kur u pyet kur do të kenë internet falas qytetarët e Lipjanit.