QKUK

Konfirmohet hulumtimi i KALLXO.com, ShSKUK-ja angazhoi kundërligjshëm këshilltarin ligjor

Bordi i ShSKUK-së i ka shkelur dy ligje dhe statutin e këtij institucioni kur e ka angazhuar me kontratë për shërbime pa asnjë procedurë këshilltarin ligjor, Faton Qirezi. Kështu thuhet në interpretimin e bërë nga Njësia e Burimeve Njerëzore e ShSKUK-së si përgjigje në kërkesën e bordit të ShSKUK-së. Bordi kishte kërkuar këtë interpretim me datën 21 janar, pas publikimit të hulumtimit të KALLXO.com që zbuloi se Qirezi ishte angazhuar kundërligjshëm dhe pa asnjë procedurë.

Në shkresën e burimeve njerëzore që e ka siguruar KALLXO.com janë konfirmuar shkeljet e bëra nga Bordi me vendimin për të angazhuar si këshilltar ligjor, Faton Qirezi.

“Vendimi i Bordit i datës 17.09.2020 nuk është bazuar në nenin 64 të Ligjit për Shëndetësi, në nenin 11 të Statutit, angazhimi është bërë në kundërshtim me nenin 84 të Ligjit për Zyrtarët Publikë. Rekomandojmë që angazhimi i këshilltarit për çështje juridike duhet të ndërpritet”, thuhet në vendimin e zyrës së burimeve njerëzore të ShSKUK-së.

Ligji për Shëndetësinë është shkelje, meqë sipas interpretimit të burimeve njerëzore, i njëjti nuk ka përcaktuar mundësinë e angazhimit të këshilltarëve për Bordin Drejtues. Ndërkohë, është shkelur edhe Statuti i ShSKUK-së, pasi i njëjti parasheh angazhimin e personave për çështje specifike, mirëpo çështja juridike nuk bie në domenin e çështjeve specifike. Madje, në sqarimet e dhëna është thënë se për mbarëvajtjen e punëve të natyrës administrativo-juridike për Bordin Drejtues, përgjegjës është Sekretari, kurse për përgatitjen e akteve të brendshme është përgjegjës Zyra Ligjore.

“Rrjedhimisht nuk mund të konsiderohet çështje specifike asnjë shërbim, për të cilin janë të obliguar ta kryejnë organet apo zyrtarët e ShSKUK-së”, thuhet në interpretimin e Burimeve Njerëzore të ShSKUK-së.

Tutje në këtë interpretim është analizuar edhe vendimi që thotë se “Bordi Drejtues i SHSKUK-së emëron avokatin Faton Qirezi në cilësinë e Këshilltarit Juridik”.

“Analizuar dispozitivin e këtij Vendimi të Bordit, është shumë e paqartë, pika 1 është në kundërthënie të plotë me pikën 2, sepse në pikën 1 veç është emëruar këshilltari me emër e mbiemër ndërsa në pikën 2, është autorizuar U.D Drejtori i Përgjithshëm të ndjek procedurat ligjore”, thuhet në interpretimin e bërë nga burimet njerëzore.

Bordi i ShSKUK-së dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të këtij institucioni kanë qenë të informuar se me hyrjen në fuqi të Ligjit për Zyrtarët angazhimi i ekspertëve me kontratë për shërbime duhet të bëhet vetëm përmes prokurimit publikë.

“Për sa i përket kornizës ligjore, Sektori i Burimeve njerëzore në ShSKUK, me kohë ka njoftuar Drejtorin e Përgjithshëm dhe në “CC” Bordin Drejtues, me shkresën, datë 12.08.2020, për hyrjen në fuqi të Ligjit për Zyrtarët Publikë”, thuhet në shkresën që Burimet Njerëzore i kanë dërguar më 2 shkurt kryesuesit të Bordit të ShSKUK-së, Xhevat Jakupi.

“Vlen të theksohet se, as sektori i Burimeve Njerëzore, as Zyra Ligjore nuk janë konsultuar para marrjes së këtij vendimi, por, ky konsultim nuk ka ndodhur as nga bordet e kaluara kur kanë angazhuar këshilltarë”, thuhet tutje në shkesë.

Faton Qirezi u angazhua më 17 shtator të vitit të kaluar në cilësinë e këshilltarit juridik, ndërsa kontrata e tij është nga 21 shtatori i vitit 2020 deri më 21 shtator 2021.

KALLXO.com kishte kërkuar sqarime nga menaxhmenti dhe bordi drejtues i ShSKUK-së se kush i ka udhëhequr procedurat për angazhimin e Qirezit. Menaxhmenti nuk ka dhënë përgjigje, ndërsa bordi i ShSKUK-së ka thënë se Qirezi është angazhuar bazuar në praktikën që është ndjekur në të kaluarën për angazhim të ekspertëve.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Faton Qirezin, i cili ka thënë se ftesën për angazhim e ka marrë nga bordi drejtues dhe se nuk ka konkurruar, përkatësisht është kontaktuar përmes telefonit.

“Kjo është kontratë për shërbime, nuk jam unë në marrëdhënie të punës. Jo, nuk kam aplikuar unë. Më kanë thirr bordi në telefon edhe më kanë pyetur se a kam mundësi m’u angazhu, dhe për një kohë të caktuar, kemi zhvilluar vetëm biseda e takime”, ka thënë Qirezi duke shtuar se nuk e njeh asnjë prej anëtarëve të bordit të ShSKUK-së.

Hulumtimin e plotë të KALLXO.com për angazhimin e këshilltarit ligjor nga Bordi i ShSKUK-së mund ta lexoni KËTU.