Foto: KALLXO.com

Hulumtimi i KALLXO.com, tre dëshmitarë dëshmojnë në gjykimin e të akuzuarve për “Vjedhjen e organizuar tatimore”

Tre dëshmitarë janë dëgjuar në gjykimin e të pandehurve Lorik Jashari, Kadri Mustafa dhe Naman Pacolli, të akuzuar për shmangie nga tatimi.

Aktakuza ndaj tyre ishte ngritur pas hulumtimit të emisionit “Jeta në Kosovë“  “Vjedhja e Organizuar Tatimore”.

Të pandehurit nga Prokuroria Speciale e Kosovës po akuzohen se kanë bashkëpunuar mes vete për të hapur kompani fiktive e duke regjistruar fatura fiktive gjoja se ka pasur shitblerje të mallrave mes kompanive.

I pari që dha dëshminë para trupit gjykues në seancën e 07.11.2024 ishte hetuesi i Departamentit të Hetimeve Tatimore në ATK, Shaqir Merovci.

Dëshmitari Merovci deklaroi se në biznesin e Naman Pacollit “Ntsh Xoni” janë kryer transaksione të shitblerjeve fiktive dhe janë lëshuar 72 fatura, vlera e përgjithshme e të cilave ishte 2,149,478.49 euro.

“Në biznesin e Naman Pacollit “Ntsh Xoni” sipas dokumentacionit figurojnë të jenë kryer transaksione të shitblerjeve fiktive gjegjësisht vetëm të shitjeve fiktive. Shuma totale e këtyre shitjeve nga 72 fatura të lëshuara për 10 biznese, dhe një personi fizik, ishin në vlerë të përgjithshme në shumë prej 2,149,478.49 euro për periudhën 2010-2012”- tha dëshmitari Shaqir Merovci.

I pyetur nga prokurorja Habibe Salihu se nga kush ishin shtypur faturat dhe a kishin pasur logo apo ndonjë formë unike, dëshmitari tha se faturat janë shtypur nga pranuesit e faturave dhe ato nuk kanë formë standarde.

Tutje, dëshmitari dha dëshmi edhe për detyrimet tatimore të bizneseve “Ntsh Xoni” dhe “NTP Panea” që kanë ndaj ATK-së.

Merovci tha se detyrimet e “Ntsh Xoni” ndaj ATK-së janë 177,828,88 euro borxh aktiv, ndërsa pasi kanë kaluar 6 vite, shuma prej 163,932.12 është falur.

Sa i përket detyrimeve të biznesit “Ntp Panea” dëshmitari tha se borxh aktiv janë 2,248 euro, dhe nga ky borxh, pasi kanë kaluar gjashtë vite, shuma prej 2,025 euro është falur.

Tutje, gjatë seancës u dëgjua edhe dëshmitarja Majlinda Abdi, e cila deklaroi se kishte punuar gjatë vitit 2007 në kompaninë “NTP Ylli”, e cila është agjenci doganore.

Dëshmitarja Majlinda Abdi deklaroi se gjatë kohës sa kishte punuar në këtë agjenci i akuzuari Kadri Mustafa kishte shkuar disa herë në zyrat e tyre dhe kishte marrë disa të herë të holla që kishin qenë në zarf që shefi i saj i kishte lënë që t’i marrë i akuzuari Kadri Mustafa.

E pyetur nga prokurorja Habibe Salihu se a i din shumën e parave që ka qenë në zarf, dëshmitarja Majlinda Abdi tha se nuk e di shumën dhe se nuk i kujtohej saktësisht sa herë kishte ardhur i akuzuari Kadri Mustafa t’i marrë këto të holla.

Dëshminë para trupit gjykues e dha edhe dëshmitari Albert Fazlija.

Dëshmitari deklaroi se është pronar i kompanisë “Ilir Kosova” Sh.P.K., e cila është kompani e IT-së që merret  me shërbime të shitjeve dhe servisime të pajisjeve të IT-së.

I pyetur se a i kujtohej nëse kishte pasur bashkëpunim me kompaninë “Flaka com”, dëshmitari Albert Fazlija deklaroi se me këtë kompani kishte pasur bashkëpunim në vitin 2009 dhe tregoi se për çfarë bashkëpunimi bëhej fjalë.

“Kemi pasur bashkëpunim që me bë instalimin, me gjetë personel për instalimin e disa softuerëve që kanë qenë për kompani të tjera”- deklaroi dëshmitari.

“Vetëm me ia gjetë personelin dhe me ia pagu personelin, kanë qenë  në pyetje studentë, ne ia kemi paguar këto 44 mijë euro për shërbimet që ata na i kanë dhënë për me gjetë studentë dhe për ta paguar këtë personel”- shtoi tutje rreth bashkëpunimit me “Flaka com” dëshmitari Fazlija.

Tutje, dëshmitari deklaroi se këta studentë kishin punuar me pajisje të  ndryshme të IT-së dhe deklaroi se  nuk i kujtohej numri i studentëve që kishin punuar në këtë bashkëpunim.

Dëshmitari Fazlija tutje deklaroi se bashkëpunimi me “Flaka com” kishte qenë vetëm ky i vitit 2009.

Tutje, i pyetur nga gjyqtari Valon Kurtaj se a i kishte gjetur vetë studentët dhe kush i ka paguar dëshmitari  tha se ai vetë i kishte gjetur studentët kurse “Flaka com” i ka paguar.

“Studentët është dashtë me i pagu ‘cash’ dhe ne ‘cash’ nuk kemi pasë mundësi t’i paguajmë, pasi ne si Sh.P.K. nuk kemi pasur të drejtë me i pagu,… ndërsa studentët nuk kanë dashur të paguhen përmes llogarisë” – tha ai.

Tutje, i pyetur se a kishte qenë në dijeni se ai kishte qenë i dyshuar para se të ngrihej aktakuza, dëshmitari Albert Fazlija tha se po.

Në pyetjen se a ishte në dijeni se pas ngritjes së aktakuzës nuk ishte i akuzuar por ishte i propozuar në cilësinë e dëshmitarit ai deklaroi se nuk ishte në njohuri por vetëm ishte njoftuar se kishin pushuar hetimet ndaj tij.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Lorik Jashari, avokati Haxhi Millaku, propozoi që në cilësinë e dëshmitarit të thirret eksperti financiar që ka hartuar ekspertizën financiare në këtë rast.

Trupi gjykues e aprovoi propozimin e avokatit Millaku.

Ky rast po trajtohet në Departamentin Special në Gjykatën e Prishtinës në përbërje të trupit gjykues Valon Kurtaj – kryetar dhe dy anëtarët Vesel Ismajli dhe Lutfi Shala.

KALLXO.com në vitin 2016 kishte transmetuar trilogjinë “Vjedhja e Organizuar Tatimore”.

Në pjesën e dytë të kësaj trilogjie, Lorik Jashari kishte mohuar të ketë lidhje me të gjitha veprimet për të cilat e ngarkon aktakuza.

Sipas aktakuzës së 25.02.2014 të Prokurorisë Speciale, të pandehurit Lorik Jashari, Kadri Mustafa, Xh. M. dhe M. G., të cilët kanë ndërruar jetë, kanë kryer veprën penale – krimit i organizuar.

Sipas Prokurorisë, gjatë viteve 2007-2011 Lorik Jashari si kryesues i grupit të organizuar kriminal u ka ndihmuar në regjistrimin e bizneseve “Flaka Com” në emër të Kadri Mustafës. Kurse për Xh. M. ishte regjistruar biznesi me emër “Loni Com”, ndërsa M. G. ka regjistruar biznes me emrin “Yllka Com”.

Sipas Prokurorisë regjistrimi i këtyre bizneseve ishte bërë më qëllim që të merren me aktivitete kriminale duke përpiluar fatura fiktive gjoja se është bërë shitja- blerja e mallrave konkrete, duke e dëmtuar sipas Prokurorisë buxhetin e shtetit për 198,707.17 euro.

Gjithnjë sipas Prokurorisë i pandehuri Lorik Jashari i ka kontaktuar personat e tjerë të akuzuar, duke qenë se ka aftësi të kontabilitetit dhe i ka udhëzuar personat si të hapet biznesi, si të veprohet në biznes, duke u treguar në detaje me aktivitetet kriminale.

Jashari sipas Prokurorisë thuhet se pasi që janë udhëzuar tashmë të akuzuarit e tjerë për regjistrimin e bizneseve, u ka siguruar shitës-blerës fiktivë.

Tutje kishte përgatitur 42 fatura fiktive personalisht në vlerë prej mbi 360 mijë euro.

Me këto veprime të akuzuarit janë ngarkuar me veprën penale të krimit të organizuar. Kurse për Jasharin edhe për shmangie nga tatimi dhe për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Tutje aktakuza thotë se Jashari si pronar i kompanisë “Lori” në vitin 2008 e ndërron emrin e kompanisë në atë të “Lorlan” SH.P.K.

Kështu i njëjti gjithnjë sipas Prokurorisë pranon para nga të hyrat e bizneseve fiktive “ Flaka Com” dhe kompania “Cini Comerce” dhe deponimet ‘cash’ në vlerë prej mbi 600 mijë euro, të hyrat nga shitblerja e banesave në vlerë prej mbi 300 mijë.

Prokuroria thotë se Lorik Jashari ka bërë shpëlarje të parave të fituara si më lart duke e ndërtuar një objekt banesor shumëkatësh në vlerë prej afërsisht gjysmë milioni euro.

Pikë tjetër e akuzës për shmangie tatimi e ngarkon të akuzuarin Kadri Mustafa  i cili si pronar i kompanisë “Flaka Com” e ka dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej afërsisht 5 mijë euro duke mos deklaruar të ardhurat dhe fitimin e saktë të kompanisë.

I akuzuari tjetër Naman Pacolli akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të autorizimeve ekonomike.