I akuzuari Lorik Jashari - Foto: KALLXO.com
Gjykimi pas hulumtimit të KALLXO.com për vjedhjen e organizuar tatimore, çfarë tha gjatë dëshmisë së saj zyrtarja e ATK-së?
Ka dhënë dëshminë dëshmitarja e parë në rastin e njohur si ”Vjedhja e organizuar tatimore”, në të cilin të akuzuar janë Lorik Jashari, Kadri Mustafa dhe Naman Pacolli, të cilët Prokuroria po i akuzon se kanë bashkëpunuar mes vete për të hapur kompani fiktive e duke regjistruar fatura fiktive gjoja se ka pasur shitblerje të mallrave mes kompanive.
Kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj në fillim të seancës më 13.09.2024 bëri të ditur se në seancën e shqyrtimit fillestar të akuzuarit ishin deklaruar se nuk e pranojnë fajësinë për veprat penale të cilat u vihen në barrë nga Prokuroria dhe se sot do të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitares së parë Emolinda Zeka.
Dëshmitarja Emolinda Zeka gjatë dëshmisë së saj rrëfeu se më 12.05.2011 ishte ngarkuar me rastin e biznesit “Yllka Com’’, dhe aty kishte vërejtur disa transaksione të dyshimta fiktive.
Ndërsa më 24.08.2012 ishte dorëzuar kërkesa në Prokurorinë Komunale të Prishtinës te prokurori Ali Ajdini pra të biznesit ‘’Yllka Com” me kërkesë që të përcillet në Prokurorinë Speciale ngase ky biznes sipas dëshmitares ishte i ndërlidhur edhe me dy biznese të tjera “Loni Com” dhe “Flaka Com”, të cilat kishin krijuar një skemë të mashtrimit me qëllim të shmangies nga tatimi.
Sa i përket dëmit të shkaktuar nga të akuzuarit, gjatë periudhës 2007 – 2010, ajo rrëfeu se në vazhdimësi ishte dëmtuar buxheti i shtetit dhe vlera parashihet të jetë rreth 7 milionë euro.
“Pasi që kemi marrë autorizimin për hetim të rastit, gjatë hetimit kemi siguruar dhe kemi kryer bastisje në shtëpitë e të pandehurve ku janë siguruar me mijëra fatura të dyshuara si në shtëpitë e të pandehurve, ashtu edhe në disa lokacione të tjera, të cilat i kanë pasur me qira, po ashtu kemi sekuestruar edhe kompjuter në shtëpinë e lokalet e Lorik Jasharit” -tha dëshmitarja Emolinda Zeka gjatë seancës.
Tutje gjatë dëshmisë së saj ajo rrëfeu se pas pranimit të të dhënave nga forenzika lidhur me ekzaminimin e kompjuterëve të cilët janë gjetur në shtëpinë dhe lokalet e të akuzuarit Lorik Jashari janë siguruar 42 fatura dhe gjithsej 33 prej tyre janë të biznesit “Flaka Com”, 4 fatura janë të biznesit “Loni Com” dhe 5 fatura janë të biznesit “Yllka Com”.
Po ashtu ajo gjatë dëshmisë së saj bëri të ditur se bazuar në transaksionet bankare të Lorik Jasharit dhe Kadri Mustafës sistematikisht gjatë periudhës 2007-2010 janë transferuar mjete nga biznesi “Flaka Com” në llogarinë e Lorik Jasharit në Raiffeisen.
Paraprakisht gjatë seancës së sotme janë dhënë fjalët hyrëse, fillimisht nga prokurorja Habibe Salihu e pastaj nga avokatët e të akuzuarve të cilët i dorëzuan me shkrim fjalët hyrëse dhe të njëjtat i elaboruan në pika të shkurta.
Prokurorja Habibe Salihu gjatë fjalës hyrëse bëri të ditur se provat të cilat janë propozuar që të administrohen para këtij trupi gjykues, si ato formale ashtu ato materiale, do të vërtetojnë gjendjen siç është përshkruar në dispozitiv të aktakuzës.
Shqyrtimi gjyqësor i radhës lidhur me këtë çështje pritet të mbahet gjatë muajit tetor ku do të vazhdohet me dëgjimin e kësaj dëshmitareje pasi e njëjta nuk arriti që dëshminë e saj ta përfundojë gjatë ditës së sotme.
Ky rast po trajtohet në Departamentin Special në Gjykatën e Prishtinës në përbërje të trupit gjykues Valon Kurtaj – kryetar dhe dy anëtarët Vesel Ismajli dhe Lutfi Shala.
KALLXO.com në vitin 2016 kishte transmetuar trilogjinë “Vjedhja e Organizuar Tatimore”.
Në pjesën e dytë të kësaj trilogjie, Jashari kishte mohuar të ketë lidhje me të gjitha veprimet për të cilën e ngarkon aktakuza.
Sipas aktakuzës së 25.02.2014 të Prokurorisë Speciale, të pandehurit Lorik Jashari, Kadri Mustafa, Xh. M. dhe M. G., të cilët kanë ndërruar jetë, kanë kryer veprën penale të krimit të organizuar.
Sipas Prokurorisë, gjatë viteve 2007-2011 Lorik Jashari si kryesues i grupit të organizuar kriminal u ka ndihmuar në regjistrimin e bizneseve “Flaka Com” në emër të Kadri Mustafës. Kurse për Xh. M. ishte regjistruar biznesi me emër “Loni Com”, ndërsa M. G. ka regjistruar biznes me emrin “Yllka Com”.
Sipas Prokurorisë regjistrimi i këtyre bizneseve ishte bërë më qëllim që të merren me aktivitete kriminale duke përpiluar fatura fiktive gjoja se është bërë shitja- blerja e mallrave konkrete, duke e dëmtuar sipas Prokurorisë buxhetin e shtetit për 198,707.17 euro.
Gjithnjë sipas Prokurorisë i pandehuri Lorik Jashari i ka kontaktuar personat e tjerë të akuzuar, duke qenë se ka aftësi të kontabilitetit dhe i ka udhëzuar personat si të hapet biznesi, si të veprohet në biznes, duke u treguar në detaje me aktivitetet kriminale.
Jashari sipas Prokurorisë thuhet se pasi që janë udhëzuar tashmë të akuzuarit e tjerë për regjistrimin e bizneseve, u ka siguruar shitës-blerës fiktivë.
Tutje kishte përgatitur 42 fatura fiktive personalisht në vlerë prej mbi 360 mijë euro.
Me këto veprime të akuzuarit janë ngarkuar me veprën penale të krimit të organizuar. Kurse për Jasharin edhe për shmangie nga tatimi dhe për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
Tutje aktakuza thotë se Jashari si pronar i kompanisë “Lori” në vitin 2008 e ndërron emrin e kompanisë në atë të “Lorlan” SH.P.K.
Kështu i njëjti gjithnjë sipas Prokurorisë pranon para nga të hyrat e bizneseve fiktive “ Flaka Com” dhe kompania “Cini Comerce” dhe deponimet ‘cash’ në vlerë prej mbi 600 mijë euro, të hyrat nga shitblerja e banesave në vlerë prej mbi 300 mijë.
Prokuroria thotë se Lorik Jashari ka bërë shpëlarje të parave të fituara si më lart duke e ndërtuar një objekt banesor shumëkatësh në vlerë prej afërsisht gjysmë milioni euro.
Pikë tjetër e akuzës për shmangie tatimi e ngarkon të akuzuarin Kadri Mustafa i cili si pronar i kompanisë “Flaka Com” e ka dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej afërsisht 5 mijë euro duke mos deklaruar të ardhurat dhe fitimin e saktë të kompanisë.
I akuzuari tjetër Naman Pacolli akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të autorizimeve ekonomike.