Fushë Kosova pastron deponinë e bërllogut pas hulumtimit të KALLXO.com

Në Komunën e Fushë Kosovës, telashet me deponitë e bërllogut janë të dukshme në disa zona. Por, pas hulumtimit të kësaj komune nga ekipi i “Jeta në Komunë”, një nga këto deponi është pastruar.

Një ndër zonat ku grumbullohen mbeturinat e që i pengon banorët si për të zhvilluar bujqësinë, ashtu edhe për nga kundërmimi, është fshati Kuzmin.

Pamjet nga fshati Kuzmin, të cilat i kanë realizuar hulumtuesit për emisionin “Jeta në Komunë”,  ku rrjedh edhe lumi Sitnica tregojnë se rruga që të çon në këtë fshat është e mbushur me mbeturina në dy anët.

Ekipi i Kallxo.com më 5 qershor dhe më 7 shtator kishte gjetur një mal me mbeturina në këtë zonë.

Me 24 korrik Kallxo.com ka publikuar një hulumtim ku tregon për problemet e kësaj komune.  Ndër këto probleme në hulumtim është shkruar edhe për deponinë e bërllogut në fshatin Kuzimin.

Ndërsa, para se të zhvillohej debati me kryetarin e Komunës së Fushë Kosovës,  Burim Berisha, hulumtuesit e “Jeta  në Komunë”, më 4 nëntor e kanë vizituar sërish deponinë dhe nuk kanë hasur në bërllok.

Pra, Komuna e Fushë Kosovës ishte siguruar që ajo pjesë të pastrohej.