Foto: Kallxo.com

Imami Enes Goga i kënaqur pas lirimit nga akuza për terrorizëm

Imami nga Peja, Enes Goga, është shprehur i kënaqur që fitoi pafajësinë pas një procesi gjyqësor në të cilin ai akuzohej për vepra që lidheshin me terrorizmin, bashkë me tre kolegë tjerë dhe Fuad Ramiqin.

“Ne jemi i sot të lumtur që drejtësia vërtetoi pafajësinë tonë. Jam i lumtur për procesin e drejtë i cili ka qenë një proces i lodhshëm, një proces i gjatë. Mbetemi mirënjohës për trupin gjykues”, tha Goga.

Ndërsa avokati Bajra Tmava, mbrojtës i të akuzuarit Mazllam Mazllami u shjpreh i kënaqur me epilogun e procesit.

“Edhe një herë u vërtetua se kemi gjyq, edhe një herë u vërtetua se ka drejtësi në Republikën e Kosovës. Ka qenë një trup gjykues i mrekullueshëm”, tha Tmava.

Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli të pafajshëm katër imamët Bedri Robaj, Idriz Bilibani, Enes Goga dhe Mazllam Mazllami, si dhe Fuad Ramiqin.

Kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, tha se gjykata nuk ka vërtetuar gjendjen faktike ashtu siç ka figuruar në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit andaj në mungesë të provave të gjithë të akuzuarit lirohen nga aktakuza.

http://kallxo.com/lirohen-4-imamet-dhe-fuad-ramiqi/

Shpenzimet buxhetore në këtë rast, sipas Ismailit, bien mbi barrën e mjeteve buxhetore të gjykatës.

Në këtë rast, imamët Bedri Robaj, Idriz Bilibani, Enes Goga dhe Mazllam Mazllami, si dhe Fuad Ramiqi akuzoheshin për vepra që lidhen me terrorizëm dhe thirrje për rezistencë.